Shumë njerëz zgjedhin që pas daljes në pension, të mos punojnë më. Rituali i një jete pa angazhime, një kafe me miqtë, një shëtitje me nipërit ose mbesat, rehatia si kryefjalë e çdo dite i bën ata palë me jetën e një pensionisti.
Po ky nuk është rasti i Jayne Burns, 101-vjeçares që ende punon. Ajo pret copa dhe pëlhura në dyqanin Joann në Mason, Ohio prej 25 vitesh, punon me kohë të pjesshme dhe me bindje thotë se puna është një nga sekretet e jetëgjatësisë së saj.
“Duhet të lëvizni dhe të mos rrini ulur në shtëpi gjithë ditën”, thotë Burns për Today. “Thjesht më pëlqen të punoj dhe të kem kontakte me njerëz”, vijon ajo.
101-vjeçarja ende i jep makinës ose u bashkohet personave të tjerë rrugës për të shkuar në punë. Në “ditë normale”, udhëtimi i saj zgjat 20 minuta. Orari i saj i punës në dyqan nuk ndryshon, por mund të ndodhë që tri ditë në javë të ketë angazhim nga ora 9 të mëngjesit deri në 5 pasdite. Puna e saj kërkon pak forcë fizike, por Burns thotë se nuk e ka fare problem këtë gjë.
Burn dikur ishte kontabiliste dhe doli në pension kur mbushi moshën, por kurrë nuk doli plotësisht. Kur u pyet nëse punën e bën për të plotësuar nevojat financiare apo për kënaqësi, 101-vjeçarja u shpreh se të dyja si arsye qëndrojnë.
Këtu janë mësimet e saj të thjeshta për jetëgjatësinë:
Nuk ka të bëjë vetëm me gjenet e mira
Të jetosh një jetë të gjatë dhe të shëndetshme duket sikur duhet të fitosh “lotarinë gjenetike”, por jetëgjatësia nuk funksionon në familjen e Burns. Nëna e saj vdiq nga aneurizma në të 40-at dhe babai i saj vdiq kur ai ishte 65 vjeç. “Jetëgjatësia varet rreth 20% nga gjenetika dhe 80% nga stili i jetesës dhe fati”, tha Andrew Steele, një shkencëtar britanik dhe autor i librit “Ageless” për Today.
Hani gjithçka në moderim
Burns ha pothuajse çdo gjë që dëshiron, duke përfshirë mishin, proshutën dhe gjalpin. Dikur kujdesej shumë për konsumin e sheqerit, por tani jo më. “Më pëlqejnë shumë ëmbëlsirat”, thotë ajo. Çokollata me qumësht është e preferuara. Ajo pinte alkool kur dilte me shoqërinë. Ajo nuk ka pirë kurrë duhan.
Qëndroni aktiv
“Kam qenë gjithmonë aktive gjatë gjithë jetës sime duke bërë gjera dhe kjo ka ndihmuar shumë”, thotë Burns. Ajo luante golf dhe ushtrohej rregullisht.
Mos lejoni që një problem shëndetësor t’ju rrëzojë
Burns i ka mbijetuar sëmundjes së kancerit. Ajo u diagnostikua me kancer në zorrën e trashë në vitin 1995 dhe iu nënshtrua një operacioni. Mjekët e diagnostikuan herët, kështu që ajo nuk iu nënshtrua kimioterapisë.
Kujdesuni për lëkurën dhe trupin tuaj
Burns ende mban një rutinë të rregullt bukurie. “Unë përdor një krem hidratues dhe grim. E kam bërë gjithë jetën time, kështu që nuk do të ndalem tani”, thotë ajo.
Kërkoni miq kudo
101-vjeçarja thotë se këshilla e saj kryesore për të jetuar gjatë dhe shëndetshëm është të kënaqeni duke qenë rreth njerëzve. “Thjesht më pëlqen të jem e rrethuar nga njerëz, shumica prej tyre janë shumë miqësorë”, përfundon Burns.