Partizani ka mposhtur Dinamon me rezultatin 4-1 në një derbi të pazakontë, të zhvilluar në “Elbasan Arena”, në kuadër të javës së 13-të të Superligës shqiptare.
Sfida u karakterizua nga akordimi i katër penalltive në favor të Partizanit, nga të cilat vetëm dy u kthyen në gol.
Dinamo e nisi më mirë takimin, por ishin të kuqtë që kaluan në avantazh në minutën e 32-të me Muratajn. Situata u vështirësua për blutë në fund të pjesës së parë, kur kapiteni Dita u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë.
Pavarësisht dy penalltive të pritura nga portieri Teqja, Partizani arriti të thellonte rezultatin me një gol spektakolar të Aliut, ndërsa Fadairo realizoi nga pika e bardhë për shifrat 3-0.
Nani ngushtoi diferencën për Dinamon, por Skuka vulosi rezultatin përfundimtar 4-1, duke realizuar penalltinë e katërt të akorduar për të kuqtë.
Me këtë fitore, Partizani largohet nga vendi i fundit dhe ngjitet në pozicionin e tetë me 13 pikë. Dinamo mbetet në vendin e gjashtë me 17 pikë, duke regjistruar humbjen e tretë radhazi dhe ndeshjen e pestë pa fitore.