Albstory pyet politikën/ Kandidati i PS Halit Valteri shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Halit Valteri ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Socialiste dhe atë personalisht.

Intervista e plotë

1. Z. Valteri, pse keni vendosur të garoni për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

  • Vendimi për të garuar nuk ishte personal, por i motivuar nga përgjegjësia që ndjej si qytetar dhe si prind. Unë nuk jam politikan që vjen nga karriget e ngrohta të sistemit – vij nga rruga e përditshme, nga realiteti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve që përballen me padrejtësi, papunësi, mungesë shërbimesh, dhe një sistem që shpesh favorizon të fortët dhe të korruptuarit. Kam qenë në Kuvend më parë, e njoh mirë mekanizmat e shtetit, por edhe kufijtë e politikës kur ajo kapet nga interesa personale. Prandaj rikthehem, si një zë ndryshe – me përvojën, kurajon dhe integritetin që më ka karakterizuar gjithmonë. Kam bërë diferencën në të shkuarën si kallëzues i aferave të mëdha të korrupsionit dhe dua të vazhdoj të jem një zë i pakompromis ndaj së keqes.

2. Sa i lidhur jeni me zonën që përfaqësoni dhe me komunitetin?

  •  Jam pjesë e kësaj zone, jo thjesht një kandidat në letër. Jetoj këtu, rris fëmijët e mi këtu, dhe përballem çdo ditë me të njëjtat sfida si çdo qytetar tjetër. E njoh çdo lagje, çdo problem konkret – nga mungesa e ndriçimit publik te vonesat në dokumente, nga problemet me trafikun te mungesa e vendeve në çerdhe. Për mua, përfaqësimi nuk është një pozicion politik, por një angazhim personal. Nuk më duhet të shtirem për të qenë pranë njerëzve, sepse jam gjithmonë aty. Kjo lidhje reale me komunitetin është forca ime më e madhe dhe arsyeja pse njerëzit më besojnë.

3. Pse duhet shqiptarët t’ju votojnë juve në vend të alternativave të tjera?

  • Sepse unë jam ndryshe nga shumica e klasës politike. Unë nuk kam hyrë në politikë për të bërë pasuri, por për të luftuar për të drejtën dhe për qytetarët. Jam një politikan i ri, pa asnjë lidhje me korrupsionin, dhe me një qëndrim të qartë: nuk bëj pakt me të keqen. Në vitet e fundit kam qenë ndër të vetmit që kam denoncuar publikisht figura të mëdha politike për afera korrupsioni, përfshirë edhe kallëzimin penal ndaj ish-Presidentit Ilir Meta. Kjo nuk ka qenë as e lehtë dhe as pa pasoja, por ka qenë e drejtë. Shqiptarët kanë nevojë për njerëz që nuk kanë frikë, që nuk shiten dhe nuk heshtin për interesa personale. Nëse kërkojnë një përfaqësues që flet kur të tjerët heshtin, që përballet kur të tjerët negociojnë, atëherë unë jam zgjedhja e tyre.

4. Cilat janë tri gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri?

  • Së pari, sistemi i drejtësisë duhet të forcohet dhe të çlirohet përfundimisht nga ndikimi politik. Ne nuk mund të kemi besim te shteti nëse të fortët dhe të korruptuarit nuk ndëshkohen.
  • Së dyti, administrata publike duhet të profesionalizohet. Mjaft me punësimet klienteliste dhe në baza partiake. Shteti duhet të punojë për qytetarët, jo për partitë.
  • Së treti, rinia shqiptare ka nevojë për mundësi reale këtu në vend, jo vetëm për postera propagandistikë. Të rinjtë nuk duhet të detyrohen të ikin. Ata duhet të kenë punë dinjitoze, arsim cilësor dhe mundësi për të ndërtuar jetën në Shqipëri.

5. Cili është mesazhi juaj për kundërshtarët politikë në këtë garë?

  • Unë nuk shoh politikën si luftë personale, por si përballje idesh. I ftoj të gjithë kundërshtarët e mi të bëjmë një garë të ndershme, me programe dhe fakte. Të ndalim baltën dhe të fokusohemi te zgjidhjet. Shqiptarët janë lodhur nga gënjeshtrat, nga premtimet boshe dhe nga një politikë që mendon vetëm për veten.
  • Unë nuk kam frikë nga asnjë përballje, sepse nuk kam asnjë gjë për të fshehur. U bëj thirrje të gjithëve të mos e nënvlerësojnë më popullin ,shqiptarët kanë zgjuarsi, kanë duruar shumë, por tani kërkojnë ndryshim të vërtetë. Dhe këtë ndryshim nuk do ta ndalojë askush.

Më të lexuarat

Dollari në pikiatë/ Rënia më e madhe e monedhës amerikane, në një dekadë
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi divorcohen ditën e nisjes së fushatës elektorale
Menu