Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ylli Shehu ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Socialiste dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
- Sepse ndjej që kam ende shumë për të dhënë. Kam qenë më parë në një pozicion ku kam pasur mundësinë të ndihmoj njerëzit dhe e kam bërë këtë me përkushtim. Tani dua ta vazhdoj këtë rrugë, sepse besoj se kur di të dëgjosh dhe nuk shmangesh nga përgjegjësia, mund të bësh vërtet diferencë në jetën e tjetrit.
2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
- Unë nuk e kam parë asnjëherë veten “më lart” apo “më ndryshe” nga të tjerët. E kam natyrë të flas me njerëzit, t’i dëgjoj dhe t’i trajtoj si miq. Kudo që shkoj, më ndalojnë, më flasin hapur, më respektojnë – dhe kjo është gjëja më e çmuar për mua. Nuk më duhet zyrë për t’i dëgjuar, sepse gjithmonë kam qenë aty, si një i tyri.
3- Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
- Sepse nuk premtoj më shumë nga ç’mund të bëj. Kam qenë gjithmonë i drejtë dhe i sinqertë, dhe këtë e njohin ata që më rrethojnë. Nuk kam as interesa të fshehura, as ambicie për t’u dukur. Dua të jem aty ku duhet, kur duhet, për të ndihmuar. E kam bërë edhe më parë dhe do ta bëj sa herë të kem mundësi. Për mua, mbështetja e njerëzve është besim – dhe besimi nuk luhet.
4- Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri
1. Të thjeshtohen shërbimet për qytetarët – që njerëzit të mos lodhen për gjëra që duhet të zgjidhen shpejt.
2. Të rinjtë të ndihen të vlerësuar dhe të kenë arsye për të ndërtuar jetën këtu.
3. Të ketë më shumë kujdes dhe mbështetje për ata që shpesh mbeten në hije – siç janë edhe gratë që përballen vetëm me jetën, veçanërisht nënat e veja, që për mua meritojnë vëmendje të veçantë.
5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
- Uroj që secili ta bëjë me ndershmëri. Askush nuk ka monopolin e të vërtetës, por të paktën të përpiqemi të jemi të drejtë me njerëzit. Unë do të jem vetja – asnjëherë nuk kam bërë lojëra dhe nuk do t’i filloj tani. Kjo rrugë është për t’u përballur me përgjegjësi, jo me njëri-tjetrin.