Albstory pyet politikën/ Kandidati i PD, Arben Lushaj shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Arben Lushaj ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.

1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

2. Sa (i/e) lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?

3- Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?

4- Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri

5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?

1- Zgjedhja për të marrë pjesë kësaj radhe si kandidat nuk është as e rastësishme dhe as e momentit. Unë kam qenë i përfshirë në politikë hershëm duke patur funksione drejtuese si në parti ashtu edhe në administratë. Kam qenë i zgjedhur si këshilltar bashkiak 2011-15, thënë këto rrugëtimi im drejt kandidaturës është rrugëtimi normal i një politikani. Gjithashtu shoh se tani ka nevojë që qyteti im dhe qarku Shkodër më shumë se kurrë kanë nevojë për zërin dhe avokaturën time në parlament, si një person që sa kam patur mundësi kam qenë në shërbim të qytetarëve.

2- Siç e thashë dhe më sipër unë kam qenë përfaqësues i zonës sime elektorale në këshillin bashkiak dhe në të gjitha garat kam qenë një nga personat më të votuar. Kam zgjedhur të jetoj dhe punoj në Shkodrën time dhe kam patur gjithmonë kontakt me njerëzit e thjeshtë duke dëgjuar dhe përpjekur të zgjidh me mundësitë e mija hallet e tyre. Në takimin prezantues pata aq mbështetje sa nuk e kanë partitë politike në Shkodër (përjashtuar PD) dhe sa pat vet kryeministri me partinë në pushtet.

3- Shqiptarët duhet të na votojnë sepse ne jemi forca që do të drejtojë me ndershmëri dhe program. Përballë është alternativë korrupsioni, dhe vjedhje e pasurisë dhe e taksave të qytetarëve. Përballë është personi që shpopulloi Shqipërinë, pa luftë më keq se Millosheviqi dhe Vuçiqi , Kosovën në 1999. Kemi një qeveri që ka bërë aleancë me krimin dhe ka kthyer këtë vend në Kolumbi për mbjelljen e drogës dhe Panama për pastrimin e parave. Nuk ka biznes që mund të bëjë një plan buxhet pasi legjislacioni ndryshon sipas humorit të kryeministrit. Jo rastësisht mbi 23 hirarkë të qeverisjes janë në burg dhe po aq pretendent për në qeli prej babëzisë kriminale.

Ne do të qeverisim me dhe për qytetarët. Ne do të kemi taksa të ulëta dhe lehtësi fiskale për biznesin. Ne do të mbështesim çiftet dhe familjet e reja. Për familjet në nevojë do të ketë mbështetje dhe politika në dhënjen e mundësive për të dalë nga nevoja. Për pensionistët pensione më të larta dhe shërbime në favor të tyre. Shkollat do jenë vende edukimi dhe jo arena ku fëmijët humbin jetën. Mjekësia do jetë për të kuruar jo për të dënuar me vdekje nevojtarët, prej mungesave të ilaçeve. Për këto dhe të tjera duhet të na votojnë.

4- Ndalja e ikjes së të rinjve nga ky vend me mbështetjen e premtuar. Vënia para drejtësisë e krimit me e pa kollare. Kthimi i çdo qindarke të vjedhur, qytetarëve.

5- Para se të dilni para qytetarëve, shihni shifrat e instatit të cilin ju e kontrolloni, shihni sistemin tims në kufi, kaloni reparteve spitalore dhe ndaluni dyqaneve të lagjeve tuaja të shihni skamjen dhe varfërinë që ka instaluar qeveria e Partisë suaj. Para se të kërkoni votë, kërkoni të falur për shpërdorimin e besimit të atyre që ju besuan. Dhe për përfundim të jeni jashtë mase të kujdesshëm e të mos përdorni mekanizmat tuaj për tjetërsim e votës se nuk do të ketë falje.

 

Më të lexuarat

Albstory pyet politikën/ Kandidatja e PD, Melissa Vuthaj shpalos vizionin për 11 majin
Fushata, beteja zhvendoset në Itali/ Rama dhe Berisha takime me emigrantët, 100 kilometra larg njëri-tjetrit
Menu