Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës , Melissa Vuthaj ka shpalosur vizionin e saj dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
- Vendosa të hyj në këtë garë sepse Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Duhet një energji e re, një zë i ri që thotë të vërtetën dhe kërkon me forcë ndryshimin. Rinia po ikën, vendi po zbrazet, dhe njerëzit po humbasin shpresën. Nuk mund të rrimë më duke dëgjuar premtime të vjetra që nuk u mbajtën kurrë. Unë hyj në këtë betejë me bindjen se me ndershmëri e me vendosmëri, mund të bëj diçka ndryshe.
- Sepse vendi ynë ka nevojë për ne, tani.
2. Sa e lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
- Kam kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën këtu, dhe kjo zonë ka qenë gjithmonë pjesë e identitetit tim. Si një imazh i migrimit brenda vendit, kam përjetuar vetë kufizimet që kjo zonë ka ofruar. Një dekadë më pas, shoh ende të njëjtat probleme: mungesë mundësish, mungesë infrastrukture, zhvillim të ngadaltë dhe papunësi. Kjo është arsyeja pse lidhja ime me këtë komunitet është e fortë, dhe ndjeshmëria ime për ndryshim është e thellë. Unë jam këtu për t’u bërë zëri i këtij komuniteti dhe për t’i ofruar mundësi reale për një të ardhme më të mirë.
3. Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
- Mendoj se vendi ynë ka nevojë për të rinj të pastër në politikë, për mendje të reja që nuk janë të ndikuara nga interesat personale dhe që janë të gatshëm të sjellin ndryshim të vërtetë. Politikën nuk duhet ta shohim si një mundësi për pushtet, por si një mjet për të sjellë mundësi dhe zhvillim për çdo shqiptar. Ne jemi ata që do të krijojmë Shqipërinë që duam, një vend ku rinia ka mundësi për të kontribuar, ku familjet ndihen të sigurta dhe të mbështetura, dhe ku politika është e lidhur ngushtë me nevojat dhe problematikat e qytetarëve, e jo me interesat egoiste që dëmtojnë qëllimin përbashkët.
4. Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri:
1. Rilindja e mundësive për të rinjtë.
2. Përmirësimi i shërbimeve të arsimit dhe shëndetësisë.
3. Reformimi i sektorëve te ekonomise lokale.
5. Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
Shqipëria meriton një garë të pastër dhe të ndershme.Ne duhet të garojmë me ide që do të bëjnë ndryshimin, jo për interesa personale, por për qytetarët dhe për një të ardhme më të mirë.