Albstory pyet politikën/ Kandidati i PS, Admir Kadeli shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Admir Kadeli ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Socialiste dhe atë personalisht.

1.Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

Unë e kam patur lidhjen me politikën që në moshë të hershme, kur njerëzit vinin dhe takonin babain tim në zyrën Kadeli. Në atë zyrë kam marrë mësimin më të rëndësishëm: “Me punë arrihet gjithçka dhe që duhet të jemi pranë njerëzve!”

Me të tillë parim unë kam bërë zgjedhjen time për të qënë kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës. Janë bërë punë shumë të mira për zhvillimin e qytetit dhe unë dua të jem pjesë e rrugëtimit deri në realizimin e çdo premtimi të dhënë. Sigurisht që vij me një frymë të re edhe në plane e projekte që do të ndihmojnë çdo familjar apo të ri, profesionist, njerëzit që kanë më pak mundësi, kam fokus të madh te hapësirat e dedikuara për fëmijët. GJITHËPËRFSHIRJA është kryefjala e çdo gjëje që kam në plan të bëj.

2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?

Kam lindur, jam rritur e banoj në Lezhë. Jam i njohur me çdo zhvillim të vendit e të banorëve. Unë nuk e kam njohur qytetin në këto zgjedhje. Jam rritur me ndryshimet, të mirat e vështirësitë e të gjithëve. Ku kam patur një mundësi për zgjidhje, e kam dhënë. Angazhimi në grupet rinore më ka përfshirë në shumë punë vullnetare që i kanë shërbyer vendit. Eksperienca si drejtues biznesi për fat e me shumë mund, ka krijuar vende pune dhe e kam për kënaqësi kur them që jam pjesë e një ekipi fantastik e me shumë vlera.

Në qasjen politike, që nga përfshirja në grupet rinore, zgjedhja si drejtues politik e angazhimi edhe në nivele më të larta, janë të gjitha të ndërtuara mbi faktin që unë i qëndroj besnik fjalës time, gjithmonë.

Kudo që shkoj për të takuar njerëz, krenaria ime e madhe është që më hapet dera e më dëgjojnë, flasim, ndajmë një bisedë qënuk lidhet veç me politikën, por me jetën, familjen, punët e çdo gjë. Kështu është lidhja ime me komunitetin, me njerëz të mirë e të nderuar.

3.Arsyet përse shqiptarët duhet t’ju votojnë?

Unë besoj që në politikë të shërbejnë parimet e mira, eksperienca për të bërë përmirësime dhe dëshira për të qenë pranë njerëzve. Siç e thashë, kështu jam rritur unë dhe dua ta vazhdoj këtë rrugëtim. Unë misionin dhe planin tim politik e kam ndërtuar mbi 6 pika kryesore, të hartuara në bashkëpunim me të gjitha grupet e interesit dhe që janë të arritshme me punë e dedikim:

1.Zhvillimi i mëtejshëm i biznesit dhe turizmit detar, malor dhe fetar

2.Rritja e efiçencës në administratë

3.Nxitja e sipërmarrjes te të rinjtë dhe rritja e mundësive për punësim

4.Fuqizimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i shërbimeve

5.Zhvillimi i bujqësisë

6.Përgjegjësia sociale dhe angazhimi i komunitetit

4.Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri?

Vërtet që nuk mund të bëj një listë me gjëra të menjëhershme që duhet të ndryshojnë, por dua të theksoj që duhet të arrijmë që t’i japim çdo njeriu atë që i takon ligjërisht. Ky është thelbi i barazisë dhe meritokracisë.

Çdo objektiv apo punë, ka një plan zbatimi që ndonjëherë ndikohet nga gjëra që nuk i kemi ne në dorë. Shembull, në Bashkinë Lezhë dhe jo vetëm, ka patur projekte që mund të ishin realizuar më parë dhe për të cilat po punohet tani, sepse ne patëm fatkeqësinë e tërmetit dhe më pas të pandemisë. Ka ndodhi të tilla, që të largojnë pak në çështje kohe nga objektivi, por që kurrsesi nuk e ndryshojnë.

5.Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?

Si fillim, nuk duhet të harrojmë bazën e çdo raporti, që është respekti. Unë mendoj për realizimin e veprave të mira për qarkun e Lezhës dhe çdokush është i mirëpritur t’i bashkohet këtij motivi.

Uroj shumë që çdo plan politik të ndërtohet në shërbim të qytetarëve dhe të vendit.

Si gjithmonë, fitoftë më i miri!

 

Më të lexuarat

“Vampiri” suarez kafshon sërish/ Sulmuesi uruguajan dëmton shokun e ekipit Jordi Alba
Albstory pyet politikën/ Kandidatja e PS, Ermonela Felaj shpalos vizionin për 11 majin
Menu