Një praktikë e frikshme po shpërndahet me shpejtësi në Kanada: shpalljet e qirasë që ofrojnë strehim falas në këmbim të favoreve seksuale. Media vendase*CBC Marketplace ka dokumentuar përmes një hetimi të fshehtë qindra raste të tilla në platforma si Craigslist dhe Facebook Marketplace, ku pronarë të shtëpive vendosin kushte të papranueshme për vajza të reja dhe studente ndërkombëtare: një shtrat i ngrohtë në këmbim të marrëdhënieve intime.
Gazetarët që u paraqitën si studente në kërkim të banese u përballën me propozime të drejtpërdrejta: “Nuk ka nevojë të bëjmë seks nëse nuk do, mund të bëjmë gjëra të tjera”, tha një burrë pas një shpalljeje “dhomë falas për një vajzë të vogël e delikate”. Të tjerë shkuan më tej duke kërkuar foto nudo apo duke premtuar mbulim të shpenzimeve të shkollës në këmbim të seksit të vazhdueshëm.
Ligji kanadez parashikon: kërkimi ose ofrimi i shërbimeve seksuale në këmbim të banesës është i paligjshëm dhe konsiderohet formë shfrytëzimi, që hyn në të njëjtën kategori me trafikimin dhe prostitucionin e detyruar. Shoqata Kanadeze e Shefave të Policisë (CACP) e ka cilësuar këtë praktikë si “një formë joshjeje në internet që lidhet drejtpërdrejt me prostitucionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore”. Kushdo që ofron një marrëveshje të tillë është i dënueshëm me ligj dhe përballet me ndjekje penale.
Avokatja dhe profesoresha Janine Benedet nga Universiteti i British Columbia e përshkruan fenomenin si “abuzim të pastër pushteti”. Sipas saj, nuk ka asnjë justifikim nëse dy palë bien dakord, sepse vendimi i një vajze për të pranuar lind gjithmonë nga frika e dëbimit ose nga pasiguria e mbetjes pa strehë. “Në momentin që mundësia për të jetuar në një banesë kushtëzohet me ofrimin e shërbimeve seksuale, nuk flasim për pëlqim të lirë, por për shfrytëzim të qartë”, thotë ajo.
Rreziku është edhe më i madh për studentet e huaja, të cilat nuk kanë familje apo rrjete mbështetëse. Shumë vajza heshtin nga frika e dëbimit, duke u bërë kështu më të ekspozuara ndaj shfrytëzimit. Këshilltarja rajonale në Brampton, Rowena Santos, ka paralajmëruar se kjo praktikë është në rritje dhe mund të çojë në raste të rënda trafikimi seksual.
Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e grave si Vancouver Rape Relief dhe Barbra Schlifer Commemorative Clinic këshillojnë gratë të njihen me të drejtat e tyre si qiramarrëse, të dokumentojnë çdo komunikim dhe të raportojnë menjëherë çdo rast kërcënimi apo detyrimi. Facebook ka deklaruar se këto shpallje bien ndesh me politikat e tij dhe i inkurajon përdoruesit t’i raportojnë, ndërsa Craigslist ka zgjedhur të heshtë.
Ky fenomen është një kambanë alarmi për gjithë shoqërinë: të quash prostitucionin e detyruar “marrëveshje për qira” është një manipulim i rrezikshëm që normalizon shfrytëzimin dhe abuzimin seksual. Ky është një kurth që vendos vajzat në situata të rrezikshme, deri edhe fatale. Sa më gjatë të tolerohet, aq më shumë do të thellohet.
Shpalljet “sex-for-rent” janë dëshmi e qartë e dështimit të tregut të banesave dhe i boshllëqeve ligjore në mbrojtjen e të rinjve. Por mbi të gjitha, ato janë pasqyra e një shoqërie që e vë trupin dhe dinjitetin e gruas në ankand.








