Greqia ka mbyllur 5% të shkollave në gjithë vendin, prej rënies së ndjeshme të numrit të fëmijëve të regjistruar.
766 shkolla në gjithë vendin, nuk çelën dyert e tyre për herë të parë në vitin e ri shkollor.
Ky kolaps demografik në Greqi është shtrirë nga fshatrat e thellë, tek ishujt e largët deri në rajonin kryesor të Atikës, që përfshin zonën më të populluar, Athinën.Greqia ka në total 14 mijë e 857 shkolla, nga të cilat 766 nuk do të presin më nxënës. Arsyeja nuk ka të bëjë me mungesën e financave nga shteti apo kushtet e këtyre shkollave, por sepse në to nuk janë regjistruar as numri minimal i fëmijëve për të çelur derën, as 15 nxënës për shkollë.
Problemi mbetet tek fëmijët të cilëve u janë mbyllur shkollat pranë vendbanimeve të tyre. Ata do të duhet të udhëtojnë rreth 80 kilometra në ditë vetëm për të ndjekur mësimin në një shkollë tjetër të hapur. Përjashtim bëjnë vetëm disa ishuj kufitare me Turqinë, të cilat mbahen hapur me më pak se 15 nxënës, për shkak se fëmijët e kanë të pamundur të edukohen diku tjetër.
Ky fenomen demografik nuk ka nisur sot në Greqi. Sipas Ministrisë së Arsimit, numri i nxënësve në arsimin fillor ka rënë me më shumë se 111 mijë në shtatë vitet e fundit, një rënie prej 19% nga viti 2018.
Rënia e ndjeshme demografike e Greqisë filloi gjatë krizës së borxhit të vitit 2010. Që nga viti 2011, vdekjet kanë tejkaluar vazhdimisht lindjet. Midis regjistrimeve të viteve 2001 dhe 2021, numri i grave në grupin kryesor të lindjes së fëmijëve të moshës 20-40 vjeç ra me 500 mijë, ose 31 përqind.
E kombinuar kjo me një “Brain Drain” apo eksod të grekëve të arsimuar në vende të huaja në kërkim të një të ardhmeje më të mirë gjatë viteve të krizës, rezultati çoi në një rënie të ndjeshme të prindërve të mundshëm.
Deri në vitin 2022, lindjet vjetore kishin rënë në Greqi nën 80,000, dhe në vitin 2023 vdekjet ishin pothuajse dyfishi i kësaj shifre. Gratë greke tani lindin fëmijën e tyre të parë në një moshë mesatare mbi 32 vjeç. Lindshmëria ka rënë në 1.35 ndër më të ulëtat në Evropë dhe lindjet jashtë martesës mbeten të rralla.








