Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur këtë të premte Niko Peleshin në krye të institucionit, duke i besuar atij detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Kuvendit për legjislaturën e XI-të.
Në seancën plenare të mbajtur pas betimit të deputetëve të rinj, Peleshi mori mbështetjen e shumicës së deputetëve me 84 vota pro dhe 3 kundër, duke u konfirmuar si figura drejtuese e Parlamentit për katër vitet e ardhshme.
Zgjedhja e tij erdhi pas konstituimit zyrtar të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 11 maj.
Ai u propozua për këtë post në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila zhviloli punimet të enjten e 11 shtatorit.
Në garën zgjedhore të 11 majit, Partia Socialiste siguroi 83 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët morën 50, PSD arriti të fitojë 3 mandate, partia Mundësia ka 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet përfaqësohen me nga një deputet secila.








