Ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës janë mbledhur në Hagë, në protestën e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Protestuesit njëzëri kërkuan, që ish-çlirimtarët të lirohen e të kthehen sa më shpejt në Kosovë.
Sipas tyre, populli shqiptar i Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, e cila nuk duhet njollosur me procese të tilla. Sipas organizatorëve, numri i pjesëmarrësve në protestë pritet të jetë masive në mbështetje të çlirimtarëve.
Më poshtë, zëri i disa protestuesve nga Haga:
“Vij nga Drencia. Kemi ardhur të përkrahim udhëheqësit e luftës sonë dhe presidentin tonë Hashim Thaçin, të madhin Kadri Veselin dhe të gjithë të tjerët, të cilët na mungojnë shumë. Diçka e papritur, që populli ynë nuk e ka miratuar këtë ditë, sepse kemi bërë një luftë shumë të drejtë, një luftë jo të barabartë”
“Kemi ardhur për drejtësi, për UÇK se na kanë bërë të padrejta dhe për këtë kemi ardhur për të protestuar. Më merr mendja që do lirohen”
“Jetojmë që 35 vite në Gjermani. Jemi organizuar me autobusë për të mbrojtur një kauzë të çlirimtarëve, të cilët na sollën lirinë, por njerëzit me veprime të këqija i akuzuan çlirimtaret dhe shpresojmë që do Zoti na kthehen”, tha një tjetër.
“Ne, populli shqiptar i Kosovës, është histori e madhe, që pas 500 vitesh, arriti Hashim Thaçi me shokët e vet, me luftëtarët e lirisë që ta bëjë Kosovën e pavarur. Me deklarata të rrejshme kundër çlirimtarëve tanë, për ata po zgjat procesi kaq gjatë. Apeloj që populli shqiptar të bëhet sa më shumë këtu në Hagë dhe t’i japim mesazh të madh botës, Amerikës, që sa më shpejt të lirohen çlirimtarët”








