DURRËS- Mbetjet e dyshuara kimike, të cilat prej më shumë se një viti ndodheshin në zonën e Shën Vlashit në periferi të Durrësit, janë zhvendosur së fundmi drejt fshatit Vrinë, disa kilometra larg vendndodhjes së mëparshme. Bëhet fjalë për 102 konteinerë, të cilët prej kohësh kishin ngritur shqetësime te banorët e zonës.
Këto mbetje ishin depozituar në kushte të përkohshme, ndërsa prania e tyre për një periudhë të gjatë kishte shkaktuar reagime të vazhdueshme nga komuniteti lokal, i cili ka kërkuar herë pas here ndërhyrjen e institucioneve për largimin e tyre.
Edhe pse autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar për arsyet e zhvendosjes, mediat raportojnë ky vendim mund të jetë ndikuar nga presioni dhe ankesat e banorëve, të shqetësuar për rreziqet e mundshme që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin dhe mjedisin.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë më tej me këta konteinerë. Deri në këto momente nuk ka një vendim të bërë publik për trajtimin apo asgjësimin e mbetjeve kimike, çka lë hapur pikëpyetje mbi menaxhimin e tyre në vijim.
Zhvendosja e tyre drejt një zone tjetër pritet të ngrejë gjithashtu shqetësime të reja për komunitetin pritës, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende një plan konkret për trajtimin përfundimtar të tyre.
Pyetja që lind është: Ku do të përfundojnë këto mbetje, dhe në rast asgjësimi, cili do jetë plani i masave nga autoritetet pasi kemi të bëjmë me mbetje te rrezikshme?/ ALBSTORY







