Ekonomia është bërë një nga temat më të diskutuara muajt e fundit. Me rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburantit dhe shpenzimeve të përditshme, gjithnjë e më shumë njerëz po ndihen të pasigurt për financat e tyre. Por duket se shqetësimet ekonomike nuk po prekin vetëm shtresën e mesme.
Një grua që punon prej vitesh me klientë shumë të pasur ka treguar se edhe ata kanë nisur të ndryshojnë sjelljen ndaj shpenzimeve, gjë që sipas saj mund të jetë një “sinjal paralajmërues” për ekonominë.
Chey Eisenman, pronare e një kompanie luksoze transporti në Minneapolis, tregoi në TikTok se klientët e saj më të pasur kanë nisur të kontrollojnë me kujdes faturat dhe kostot, diçka që më parë nuk ndodhte pothuajse kurrë.
“Ajo që vura re ishte se për herë të parë ata po i shikonin vërtet faturat e tyre,” tha ajo.
Sipas Eisenman, klientët nuk po ankoheshin për shërbimin, por thjesht po tregonin më shumë vëmendje ndaj çdo shpenzimi.
Një rast tjetër që i bëri përshtypje ishte ai i një biznesmeni shumë të pasur, i cili mbeti i habitur nga kostoja e një darke me kolegët. Sipas saj, një darkë për 11 persona, që zakonisht kushtonte rreth 2 mijë dollarë, këtë herë kishte shkuar në 5 mijë dollarë.
“Ai fliste gjatë për faktin që çmimet ishin dyfishuar. Dukej vërtet i surprizuar,” tregoi ajo.
Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë me të ashtuquajturën “ekonomi në formë K-je”, ku njerëzit e pasur vazhdojnë të rriten financiarisht, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë përballet me më shumë vështirësi. Megjithatë, disa besojnë se edhe shtresa e pasur, jo domosdoshmërisht miliarderët, po fillon të ndiejë presionin e kostove në rritje.
Sipas një analize të NBC News, ultra të pasurit vazhdojnë të blejnë vila luksoze, jahte dhe avionë privatë, duke treguar se hendeku ekonomik vazhdon të zgjerohet. Por njerëzit me shumë para, që nuk bëjnë pjesë në nivelin e miliarderëve si Elon Musk apo Mark Zuckerberg, duket se kanë nisur të tregohen më të kujdesshëm.
Për momentin, këto mbeten më shumë sinjale dhe përvoja personale sesa prova konkrete për një krizë të re ekonomike. Megjithatë, fakti që edhe klientët më të pasur po flasin më shumë për çmimet dhe faturat, për shumë njerëz konsiderohet një shenjë që diçka po ndryshon.








