Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Bashkëdrejtuesi i koalicioni “Djathtas për Zhvillim” Enkelejd Alibeaj ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin koalicionin “Djathtas për Zhvillim” dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
“Sepse nuk dua t’ua lë fëmijëve të mi një Shqipëri të vjedhur dhe të padrejtë. Sepse dua të bëj diçka konkrete, jo të rrimë e të ankohemi. Kam zgjedhur të hyj në këtë betejë për t’u përballur me ata që e shohin pushtetin si pronë personale.”
2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
“Jam një prej tyre. Kam jetuar këtu, kam dëgjuar njerëzit, i njoh sytë e lodhur të prindërve dhe zërin e mbajtur të të rinjve që duan të ikin. Nuk më duhet fushatë për të qenë pranë tyre – aty kam qenë gjithmonë.”
3. Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
“Sepse aq sa kam pasur pushtet kurrë nuk kam abuzuar. E kjo është garanci në politikën e sotme. Sepse kam qenë gjithmonë me kokën lart dhe duart e pastra. Sepse nuk kam frikë nga e vërteta, dhe nuk bëj pazar me të. Voto për dikë që të përfaqëson ty, jo për dikë që të përdor.”
4. Tre gjërat që duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri:
– Të ndalet pandëshkueshmëria, që hajduti të mos qeshë më para qytetarit.
– Të ketë drejtësi, sepse pa drejtësi nuk ka as shpresë.
– Të ketë shtet për njerëzit, jo për partinë.
5. Mesazhi im për kundërshtarët politikë:
“Unë nuk ju urrej. Por ju nuk mund të vazhdoni të talleni me një popull të tërë. Boll më. Ky vend nuk është i juaji – është i fëmijëve tanë. Ju i patët 30 vjet. Tani është radha e shqiptarëve të ndershëm.”