Albstory pyet politikën/ Kandidati i PD, Andrea Mano shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, Andrea Mano ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.

1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

“Zgjodha të kandidoj sepse nuk mund të qëndroj indiferent ndaj padrejtësive që po dëmtojnë njerëzit tanë çdo ditë.

Kam qenë gjithmonë pranë komunitetit, duke mbrojtur të vërtetën dhe interesin e qytetarëve edhe kur nuk kisha pushtet.

Sot ndjej detyrimin moral dhe politik të jap më shumë, të jem zëri i atyre që janë lënë pas dore, të ndërtojmë një Shqipëri të ndershme dhe të drejtë për të gjithë.

2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?

“Jam pjesë e kësaj toke, i rritur me vlerat, hallet dhe shpresat e saj.

Nuk jam një politikan që zbres në zonë vetëm në fushatë — kam qenë dhe jam krah qytetarëve në çdo betejë, në çdo padrejtësi.

E njoh çdo rrugë, çdo fshat dhe çdo familje që lufton për një jetë më të mirë.

Ky nuk është thjesht një angazhim politik për mua, është një lidhje zemre.”

3. Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?

“Shqiptarët duhet të më votojnë sepse unë nuk u kujtova për për ta vetëm tani.

Sepse nuk kam bërë pazare politike, nuk kam shitur bindjet e mia.

Sepse dua që Shqipëria të jetë shtëpi e dinjitetit dhe mundësive, jo vend i pasigurisë dhe largimeve masive.

Jam këtu për t’u shërbyer njerëzve, jo për t’u bërë barrë mbi ta.”

4. Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri:

“Të ndalojmë shpopullimin duke kthyer mundësitë për punë dhe jetë dinjitoze në vendin tonë.

Të luftojmë korrupsionin që ka gërryer çdo qelizë të shtetit dhe shpresën e njerëzve.

Të rimëkëmbim ekonominë, duke mbështetur biznesin e vogël dhe fermerët, jo duke i shtypur me taksa dhe padrejtësi.”

5. Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?

“Le të garojmë me ide, me program dhe me respekt për qytetarët.

Kushdo që synon të përfaqësojë njerëzit duhet ta dijë që fjalët nuk mjaftojnë: duhet shembull, duhet përkushtim dhe ndershmëri.

Fushata kalon, por dinjiteti mbetet.”

Më të lexuarat

Për herë të parë, Putin shpall armëpushim 3-ditor në luftën me Ukrainën
Rama në Shkodër: Sa të jem unë këtu dhe PS forcë e vetme në qeveri, s’ka hapa pas në drejtësi
Menu