Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Ardian Fero ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
1.Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
“Zgjodha të garoj për zgjedhjet parlamentare të 11 majit sepse pas më shumë se 30 vitesh angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm brenda partisë, besoj se ka ardhur momenti të vë në funksion të qytetarëve gjithë përvojën, njohuritë dhe përkushtimin tim. Kam qenë gjithmonë pranë strukturave dhe njerëzve, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke kontribuar për ndërtimin e një partie të fortë dhe të qëndrueshme. Situata e vështirë ekonomike, korrupsioni i përhapur, gjendja e mjerueshme e sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, si dhe emigrimi masiv i të rinjve, më kanë dhënë shtysë të jem më shumë sesa një dëshmitar i këtyre realiteteve, të jem një zë i fortë që punon dhe kontribuon për ndryshimin e kësaj situate. Kandidimi im nuk është një ambicie personale, por një thirrje për përgjegjësi ndaj vendit dhe brezave që po rriten pa perspektivë.”
2.Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
“Lidhja ime me Fierin është e fortë dhe e ndërtuar mbi vite të tëra jete, pune dhe përkushtimi ndaj këtij komuniteti. Këtu jetoj, këtu kam ndërtuar marrëdhënie të sinqerta me qytetarët dhe këtu kam kontribuar për shumë vite si pjesë aktive e strukturave të partisë. Si stomatolog, kam qenë çdo ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit, duke i dëgjuar shqetësimet e tyre jo vetëm si pacientë, por edhe si qytetarë të zhgënjyer nga problemet e sistemit shëndetësor, ekonomisë dhe mungesës së perspektivës. Kjo më ka bërë edhe më të vendosur që të jem një zë i tyre në politikë një përfaqësues që i njeh nga afër hallet dhe që ka qenë gjithmonë i pranishëm, i ndershëm dhe i gatshëm për të ndihmuar.”
3.Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë? “
Shqiptarët duhet të më votojnë sepse unë jam një prej tyre. Nuk flas nga një zyrë e shkëputur nga realiteti, por nga përvoja e jetës së përditshme, nga hallet që i kemi të përbashkëta. Edhe unë kam përjetuar dhimbjen e ikjes së birit tim drejt emigracionit, si mijëra prindër të tjerë që shohin fëmijët të largohen, jo për ëndrra të mëdha, por thjesht për një jetë më të sigurt dhe më të denjë. Kjo plagë është një nga arsyet më të forta që po marr këtë angazhim. Nuk mund të qëndroj më pasiv përballë kësaj realiteti që po zbraz vendin. Garoj jo për interes personal, por për të qenë një zë që kërkon ndryshim të vërtetë, për një Shqipëri ku të rinjtë të zgjedhin të qëndrojnë, dhe prindërit të mos përcjellin më fëmijët në aeroport me lot në sy.”
4.Tre gjëra që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri
Shëndetësia është në kolaps. Qytetarët nuk mund të përballojnë më shërbimet shëndetësore, kur duhet të presin për muaj të tëra për një shërbim dhe më pas të paguajnë nga xhepi. Duhet një reformë të thellë, që të sigurohet një shëndetësi për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë mundësi financiare.
Drejtësia është e kapur. Në Shqipëri, ligji është i njëjtë për të gjithë vetëm në letra, ndërsa në realitet, abuzuesit dhe të pasurit shpëtojnë gjithmonë. Korrupsioni është një plagë që po shkatërron çdo shoqëri, duke penguar zhvillimin dhe duke bërë që qytetarët të humbasin besimin në sistemin e drejtësisë. Kjo ka një çmim të madh: humbjen e besimit të qytetarëve në shtet dhe në institucionet e tij.
Emigrimi masiv i të rinjve është një tragjedi kombëtare. Nuk mund të pranojmë që brezi i ri të largohet nga Shqipëria çdo vit, sepse nuk ka mundësi të ndershme për të punuar dhe zhvilluar potencialin e tij. Ky largim është rezultat i një ekonomie të brishtë, të papunësisë së lartë dhe mungesës së mundësive reale. Shqipëria ka nevojë urgjente për një ristrukturim të thellë të arsimit dhe mundësive për të rinjtë, që të mos shohin emigrimin si një zgjidhje, por të shohin Shqipërinë si vendin ku mund të krijojnë dhe të kontribuojnë.”
5.Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundershtarve politike ne kete gare?
“Mesazhi im për kundërshtarët politikë është një mesazh i nderit dhe përgjegjësisë. Gara jonë nuk është për të sfiduar individë, por për të shërbyer atdheut dhe qytetarëve. Të gjithë ne jemi këtu për të ofruar një mundësi më të mirë për Shqipërinë, për të krijuar një shoqëri ku drejtësia, përparimi dhe solidariteti janë parimet që udhëhoqën veprimet tona. Uroj që secili nga ne të garojë me fisnikëri dhe dinjitet, duke ofruar alternativa që pasqyrojnë vlerat e larta të përkushtimit ndaj vendit dhe qytetarëve. Politika duhet të jetë shërbim dhe jo mjet për përfitime personale. Le të krijojmë një garë të ndershme dhe të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë për të mirën e përbashkët.”