Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Dashamir Xhika ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
2. Sa (i/e) lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
3- Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
4- Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri
5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
1. Zgjodha të kandidoj pasi që nga viti 2005 kam qenë pjesë aktive e politikës dhe administratës, duke mbajtur poste drejtuese me përgjegjësi dhe përkushtim. Sot është momenti të përfaqësoj me dinjitet zonën ku kandidoj—vendin ku kam lindur dhe jam rritur, vendin që e njoh dhe më njeh.
2. Gjatë gjithë jetës sime, kam ruajtur një lidhje të fortë me banorët e kësaj zone. U kam shërbyer me zemër në çdo pozicion që kam mbajtur, dhe kjo lidhje nuk ka qenë kurrë formale—ka qenë njerëzore, e ndërtuar mbi besim dhe ndihmë të ndërsjellë.
3. Përgjegjësia, integriteti, përkushtimi dhe vizioni im janë cilësi që kjo zonë mi njeh. Banorët, bizneset, fermerët dhe të gjitha grupet e interesit e kanë ndjerë praninë dhe angazhimin tim në vite. Nuk jam premtim—jam provë konkrete.
4. Ka shumë gjëra që duhet të ndryshojnë. Së pari, pushteti. Pas 12 vitesh, ai ka humbur frymën e ndryshimit. Së dyti, duhet ndaluar eksodi i shqiptarëve, veçanërisht i të rinjve. Ndryshimi i menjëhershëm i politikave të arsimit dhe bujqësisë është jetik. Arsimi është e ardhmja—dhe jemi në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit.
5. Mesazhi për kundërshtarët është i thjeshtë: le të votojnë qytetarët të lirë dhe të qetë. Vota është dinjiteti i tyre.