Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Ethem Aga ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
Pse zgjodhët të garonit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit?
“Në situatën që jemi të garosh, të kontribuosh dhe përfaqësosh komunitetin, është detyrim! Më lejoni të them që pa e zmadhur aspak mendoj se atdheu ynë është në rrezik. Jemi në prag të rrëshqitjes drejt një sistemi mirëfilli autokratik. Gjithashtu në këto zgjedhje si pjesë e Partisë Demokratike në listat e hapura të Qarkut Tiranë, përfaqësoj edhe Diasporën. Ndihem i privilegjuar që dëshira ime dhe përzgjedhja e anëtarësisë nga votimi i primareve dhe vendimi i kryesisë së PD-së më përfshinë në listën e kandidatëve për deputetë. Unë jam larguar nga Shqipëria në 2 korrik 1990. Kapërceva murin e Ambasadës Franceze dhe që nga ai moment u regjistrova si emigrant politik. Kur u largova isha vetëm 23 vjeç. Preka Lirinë, atë që na kishte munguar. Kuptova se varfëria nga vinim ishte një prej elementëve jo shumë i rëndësishëm krahasuar me vlerat e tjera që të ofron sistemi i demokracisë liberale. Sot këto vlera po shkilen, po nëpërkëmben dhe nuk janë pak por 12 vitë në sistemin e ngritur nga qeverisja aktuale. Unë përfaqësoj PD-në, atë forcë politike e cila përbysi sistemin komunist dhe më pas gjatë qeverisjes së saj realizoi dy arritje të mëdha, anëtarësimin e vendit në NATO dhe liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Kam qenë pjesë e PD-së që në krijimin e saj në vitin 1990 e në vazhdim, madje nga kontaktet që munda të krijoj në Francë, kam dërguar në Shqipëri dhe pranë PD-së përfaqësues të lartë të RPR (Partisë së drejtuar atëkohë nga Zhak Shirak).”
Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe në komunitet?
“Në këto zgjedhje mbuloj zonën 12 dhe 15 në Tiranë. Janë zonat rurale, duke përfshirë njësitë Administrative Krrabë, Bërzhitë, Petrelë, Balbushk, Farkë, Vaqarr, Ndroqë dhe Pezë. Është ai territor që njihet si kurora e Tiranës. Jam banor në Farkë, aty u linda, u rrita, formova dhe dhash kontributin tim. Gjithashtu kam ushtruar funksione si anëtarë i këshillir të Komunës Farkë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Tiranë, si i zgjedhur vendor. Jeta ime është e lidhur si me Francën ashtu edhe Shqipërinë. Jemi një pjesë e madhe e komunitetit shqiptar atje, të integruar prej vitesh, por kurrë nuk i kemi shkëputur lidhjet me vendlindjen. Në Francë u integrova shpejt që në vitin e parë të qëndrimit atje punova si lektor në një universitet, më pas në disa kompani të mëdha deri në rang drejtuesi dhe prej vitesh kam sipërmarrje private. Gjithçka që kam ndërtuar në jetën personale mundohem që ta rikthej në forma të ndryshme në Shqipëri dhe veçanërisht komunitetin që përfaqësoj. Nuk mund ta konsideroj vetem si “i lidhur me zonën”, pasi në fakt jam pjesë e saj. Dashurinë për vendin dhe njerëzit ia ushqej edhe dy vajzave të mia.”
Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri
“Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar, por në respekt të pyejes tuaj, po i përmbahem tre elementëve. Së pari duhet të ndryshojë mendësia jonë. Qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm që në një sistem demokratik kanë shumë të drejta dhe nëse u preket qoftë edhe një prej tyre, kanë në duar mjetin e fuqishëm, protestën. Gjatë takimeve të shumta që zhvilloj banorëve të ndryshëm u tregoj për programin e PD-së dhe në fund u them i bindur se çdo premtim që japim sot do kthehet në detyrën tonë për ta realizuar menjëherë pasi të marrim pushtetin. Fushata ime është pakt me votuesin. Një lloj kontrate qytetare që për çdo fjalë të dhënë do jetë detrim për ta vënë në zbatim me prova konkrete kur të zgjidhem deputet. Një tjetër fenomen që duhet të ndryshojë është që të rinjtë të mos largohen. Mund të ngjajë gati patetike që këtë e thotë një “i larguar” në vigjilje të rënies së sitemit komunist, por sot ata duhet të kontribuojnë më shumë se kurrë duke qëndruar dhe ndëshkuar fuqishëm më votë të keqen që ka mbërthyer vendin. Kemi një plagë të madhe. Në 12 vite të qeverisjes aktuale janë larguar mbi një milionë shqiptarë. Kjo është dramë me shumë pasoja. Përgjatë fushatës shoh familje me të moshuar. Me lot në sy tregojnë se fëmijët, nipër e mbesa janë larguar pasi këtu u vranë shpresën. Ikën nga mungesa e konkurencës së ndershme, ikën nga mungesa e meritokracisë. Të rinj të shkolluar mbesnin pa punë, sepse vendet e punës i taksën për patronazhistë. Ikën profesionistë të fushave të ndryshme, mjekë, infermierë, inxhnierë apo edhe të arsimuar në shkolla profesionale si elektriçistë, hidraulikë, mekanikë etj. U prenë çdo mundësi, duke mos i lënë që të ndërtonin të ardhmen, as në sektorin privat. Nuk ngrenin dot një fermë, servis e madje as sera, se u vinin tufa inspektorësh me gjoba të rënda, disa i dënuan edhe penalisht, të tjerë i ndëshkuan administrativisht, duke ushtruar terror dhe detyruar të largohen. Shumë shkolla, sidomos në rrethe të ndryshme janë bosh. Kanë ikur prindërit bashkë me fëmijët e vegjël. A nuk është dramë kjo??? Dhe e treta, fare shkurt, që i jep përgjigje shumë fenomeneve negative: Duhet të ndryshohet qeverisja!”
Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
“Mund të jenë shumë mesazhe për tu dhënë kundërshtarëve politike, por mendoj se vetëm një mesazh i përmbledh të gjitha dhe është thelbësor: Mos prekni votën e lirë, mos përdorni dhe shantazhoni administratën dhe mos vidhni zgjedhjet! Ndryshimi e ka marrë udhën e tij, çdo tentativë për ta ndalur me mjete të pandershme dhe mbi të gjitha antiligjore, merr ndëshkim.”