Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Salvador Kaçaj ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
“Vendosa të hyj në këtë garë sepse nuk e shoh politikën si karrierë, por si shërbim. Kam qenë në fushë me Kombëtaren, kam qenë në terren si kryetar bashkie, dhe tani dua të jem në Kuvend për të përfaqësuar ata që nuk kanë zë – njerëzit e ndershëm që punojnë çdo ditë, por që nuk dëgjohen kurrë.”
2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
“Unë nuk jam i importuar në Tiranë. Jetoj këtu, kam familjen këtu, kam miq, kolegë, fqinjë. Kam trokitur derë më derë, kam dëgjuar hallet e qytetarëve dhe nuk i shikoj si “vota”, por si njerëz me dinjitet që meritojnë zgjidhje reale. E ndiej veten pjesë të kësaj zone – jo si kandidat, por si bashkëqytetar.”