Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Skënder Dika ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
*1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?*
Zgjodha të kandidoj sepse Shqipëria sot ndodhet në një moment shumë të ngjashëm me atë të viteve ’90 – kur njerëzit kërkonin liri, demokraci dhe dinjitet. Sot, sërish, demokracia është nën kërcënim serioz. Një grusht politikanësh të korruptuar kanë kapur shtetin dhe po përpiqen ta kthejnë popullin në të frikësuar e të varur.
Ashtu si atëherë, edhe sot ndjej nevojën të sakrifikoj gjithçka dhe të jap kontributin tim. Këtë herë, vij me përvojën e çmuar të një emigranti që ka parë se si funksionon një shtet ku respektohen ligji dhe qytetari. Dua ta sjell këtë përvojë në shërbim të vendit tim. Vij për t’i rikthyer pushtetin qytetarëve – për të sjellë zërin e tyre në politikë, jo për të qenë një tjetër zë i politikës që hesht qytetarët.
Besoj fort se kur njerëzit ndihen të përfaqësuar, ata nuk ikin nga vendi i tyre. Unë kam zgjedhur të rikthehem jo për të marrë, por për të dhënë. Kam bindjen e plotë se ndryshimi fillon kur secili prej nesh merr përgjegjësi dhe vepron.
*2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?*
Lidhja ime me Shijakun është e hershme dhe e pandërprerë. Gjatë gjithë karrierës sime – si mësues në fillim, si piktor, si deputeti i parë në parlamentin pluralist së bashku me të ndjerin Petrit Llaftiu, më pas si Kryetar Bashkie – kam qenë gjithmonë pranë komunitetit tim.
Edhe si emigrant, lidhja ime me vendlindjen nuk është shkëputur kurrë. Në Terni të Italisë kam themeluar Shoqatën Shqiptare “Alba 2003” dhe kam qenë pjesë aktive e Partisë Demokratike, dega Romë. Me shumë përkushtim kemi organizuar edhe protestat e para pas arrestimit të z. Prof. Dr. Sali Berisha.
Jam rritur me historitë, sfidat dhe shpresat e komunitetit tim. E njoh mirë zonën time, njoh njerëzit, njoh nevojat dhe mbi të gjitha – njoh potencialin e saj. Kjo lidhje nuk është vetëm emocionale – është angazhim dhe përgjegjësi.
*3. Arsyet pse shqiptarët duhet të më votojnë*
Vij me sinqeritetin e dikujt që e sheh politikën si një mision, jo si një karrierë. Ndershmëria, përulësia dhe vlerat e thella njerëzore janë pjesë e ADN-së sime.
Unë besoj në një shoqëri ku çdo individ – pa dallim klase, bindjeje politike apo prejardhjeje – trajtohet me dinjitet dhe barazi. Politika nuk duhet të jetë mjet për përfitim personal, por një urë për të afruar qytetarët me vendimmarrjen dhe për të përmirësuar jetën e tyre.
Unë nuk vij për të përfaqësuar një parti apo një grup të ngushtë interesi – por për të qenë zëri i qytetarëve. Angazhimi im është për të gjithë, pa përjashtim, me përkushtim të plotë dhe me transparencë të plotë.
*4. Tre gjërat që sipas meje duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri*
1. Varfëria dhe braktisja sociale – Shqipëria ka nevojë për një politikë sociale të drejtë, jo show dhe ndihma simbolike. Paketa e Dhembshurisë e Partisë Demokratike përfshin: vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro/muaj, pagën minimale 500 euro, si dhe mbështetje të dedikuar për pensionistët, nënat vetëushqyese, personat me aftësi ndryshe dhe familjet në varfëri ekstreme. Ky nuk është një akt mëshire – është detyrim moral dhe shtetëror.
2. Mjedisi dhe siguria ushqimore – Në 10 vitet e fundit, rastet me tumor janë rritur me 40%. Ndotja, mungesa e kontrollit mbi ushqimet dhe keqmenaxhimi i mbetjeve po rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve. Duhet të ndërtojmë një sistem që mbron ajrin që marrim, ujin që pimë dhe ushqimin që konsumojmë.
3. Lufta kundër korrupsionit – Korrupsioni ka kapur gjithçka: drejtësinë, administratën, tenderët dhe çdo hallkë të shtetit. Duhet një reformë e vërtetë që nuk kursehet përballë askujt. Drejtësia duhet të rikthehet tek qytetarët dhe pushteti tek ligji – pa pazare politike, pa selektivitet.
*5. Mesazhi im për kundërshtarët politikë në këtë garë*
Të gjithë kemi një përgjegjësi të përbashkët: ta kthejmë këtë garë në një shembull demokracie dhe dinjiteti. Le të konkurrojmë me ide, me programe, me vizion për Shqipërinë – jo me fyerje, shpifje apo frikësim.
Shqipëria nuk ka më kohë për politikën e vjetër të përçarjes dhe hakmarrjes. Ka nevojë për njerëz që besojnë se forca që ndryshon një vend është respekti për votën dhe për qytetarin.
Siç thoshte Abraham Lincoln: “Një votë është më e fuqishme se një plumb – me një plumb mund të vrasësh një njeri, me një votë mund të ndryshosh një komb.”
Le ta bëjmë këtë garë një mundësi për ndryshim.