Albstory pyet politikën/ Kandidati i PS, Adnan Shullani shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Adnan Shullani ka shpalosur vizionin e tij dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Socialiste dhe atë personalisht.

1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

Unë e kam nisur rrugëtimin tim politik në Partinë Socialiste që para 32 vitesh, duke kaluar çdo shkallë përgjegjësie – nga anëtar baze, në sekretar dhe kryetar dege, e deri tek funksioni i administratorit të Njësisë Administrative Ana e Malit në dy vitet e fundit. Vendimi për të kandiduar nuk ka qenë i lehtë, sepse Partia Socialiste ka shumë anëtarë me vlera, që meritojnë të jenë pjesë e listës.

Megjithatë, ndihem i vlerësuar për këtë mundësi, veçanërisht nga drejtuesi i qarkut z. Benet Beci dhe Kryeministri Edi Rama. Kjo kandidaturë më shton përgjegjësinë, sepse vjen si rezultat i një procesi reflektimi dhe kontributi të gjatë. Investimet e rëndësishme që po bëhen në Shkodër janë një motivim shtesë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve me kokën lart dhe ballëhapur – për të thelluar zhvillimin dhe për të qenë gjithnjë më pranë komunitetit me zgjidhje konkrete.

2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?

Gjithë jetën time e kam jetuar në Shkodër. Kam punuar si mësues dhe drejtues shkolle, dhe në dy vitet e fundit kam qenë administrator në Ana e Malit. Kam qenë gjithmonë pranë njerëzve dhe kjo më ka bërë ta njoh nga afër çdo lagje, çdo fshat dhe çdo shqetësim të komunitetit.

I njoh problematikat e papunësisë, vështirësitë e bujqësisë e blegtorisë, sfidat në arsimim dhe mungesën e transportit. Nuk i kam parë nga distanca, por i kam jetuar. Po ashtu, jam shumë i ndërgjegjshëm për vështirësitë që përballon mosha e tretë – e cila duhet të trajtohet me dinjitet, siç e parashikon edhe programi i Partisë Socialiste.

3. Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?

Unë e di që në garën e 11 majit ka shumë kandidatë të aftë, me përvojë dhe kontribute të çmuara. Por shqiptarët duhet të votojnë Partinë Socialiste sepse ajo ka dëshmuar një rrugetim të qartë, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm – pavarësisht sfidave.

Shkodranët, nga ana tjetër, duhet të më mbështesin mua sepse jam njeri i terrenit, i përkushtuar dhe i thjeshtë. Kam zgjedhur të veproj, jo të bëj zhurmë. Nuk premtoj gjëra që nuk bëhen, por çdo premtim që është i realizueshëm, me mua do të bëhet realitet. Shkodra është duke marrë një trajtë të re zhvillimi, sidomos në këto dy vitet e fundit, dhe unë dua të jem pjesë e këtij transformimi – me ndershmëri dhe përkushtim.

4. Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri

Ndryshimet e menjëhershme shpesh janë të rrezikshme, prandaj unë besoj në proceset e mirëkonsoliduara. Si një qytetar që ka përjetuar edhe sistemin komunist, e kuptoj mirë nevojën për ndryshime të balancuara. Megjithatë, në Qarkun e Shkodrës, janë disa gjëra që kërkojnë përmirësim urgjent:

a. Infrastruktura dhe transporti – veçanërisht në zonat rurale, ku mungesa e aksesit kufizon zhvillimin.

b. Arsimi dhe shëndetësia – kanë nevojë për përmirësim të standardeve, me më shumë investime në cilësi.

c. Kthimi i të rinjve në vend – kjo kërkon rritjen e shpresës përmes punës së qëndrueshme, mbështetjes në arsim dhe integrimit europian të Shqipërisë.

5. Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?

Partia Socialiste po kërkon mandatin e katërt radhazi, dhe kjo në një sistem pluralist nuk është e zakonshme. Por për ne që kemi qenë pjesë e kësaj force edhe në kohët më të vështira, kjo është një dëshmi e besimit që shqiptarët kanë ndaj PS-së.

Kundërshtarët tanë politikë përfaqësojnë vlera dhe individë të respektuar, por fatkeqësisht opozita është e fragmentuar, pa një vizion të qartë, pa plan qeverisës dhe pa një lidership të qëndrueshëm.

Unë nuk jam këtu për të sulmuar askënd. Mendoj se të gjithë duam të mirën për vendin tonë. Por besoj fort që Partia Socialiste është forca që ka treguar se di të ndërtojë, të qeverisë dhe të udhëheqë Shqipërinë drejt standardeve europiane – me vendosmëri dhe maturi.

 

 

 

 

 

 

 

Më të lexuarat

Albstory pyet politikën/ Kandidatja e PD, Lumturi Hasa shpalos vizionin për 11 majin
Albstory pyet politikën/ Kandidatja e PD, Matilda Qurku shpalos vizionin për 11 majin
Menu