Albstory pyet politikën/ Kandidatja e “Lëvizja Bashkë”, Albina Ruko shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kandidatja e “Lëvizja Bashkë” për qarkun e Tiranës, Albina Ruko ka shpalosur vizionin e saj dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin “Lëvizja Bashkë” dhe atë personalisht.

1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

“Demokracia e vërtetë lind nga poshtë, nga zëri dhe pjesëmarrja e njerëzve të zakonshëm, dhe unë jam krenare që përfaqësoj një subjekt politik ku demokracia nuk është thjesht fjalë, por praktikë. Jam përzgjedhur përmes një procesi të hapur dhe të ndershëm, me votën e anëtarësisë, për të qenë kandidate për Qarkun e Tiranës.

Vij nga rrugët e aktivizmit, nga protestat dhe betejat kundër padrejtësisë, nga punët vullnetare dhe përballja me problemet reale të njerëzve. Ky kandidim për mua nuk është ambicie personale, por një përgjegjësi e madhe për të qenë zëri i qytetarëve në një institucion që shpesh i ka injoruar. Shqipëria ka nevojë për zëra të rinj, të ndershëm, të përkushtuar dhe të guximshëm.”

2. Sa e lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?

“Unë nuk jam thjesht një kandidate nga Tirana – unë jam pjesë e kësaj zone, e rritur mes njerëzve të saj, mes sfidave të përditshme që për shumë janë bërë realitet i hidhur. Këtu kam parë sesi padrejtësitë sociale thellohen çdo ditë, si mungesa e barazisë pengon të rinjtë të ecin përpara, dhe si mungesa e mundësive shtyn shumë të largohen nga vendi.

Kam ardhur këtu për të studiuar, por jam ndeshur me një sistem që shet dijen, që sheh xhepin dhe jo mendjen. Kam qenë aktive në nisma të ndryshme sociale dhe qytetare, duke ngritur zërin për të drejtat e komunitetit dhe duke u përballur me pushtetin cdo herë që interesi qytetar është shitur.Prandaj nuk flas për hallet e qytetarëve nga larg – i njoh nga afër, i ndiej çdo ditë, dhe dua të jem ura e tyre drejt një përfaqësimi të denjë.”

3. Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?

“Unë nuk besoj tek mitet e individit që “do të na shpëtojë” – besoj tek forca e një lëvizjeje, e një programi, e një ideali të përbashkët. Kandidimi im vjen përmes një subjekti që ka dëshmuar se nuk bëhet kompromis me padrejtësinë, që ka qenë në krah të qytetarëve në çdo betejë.

Lëvizja BASHKË është sot alternativa më serioze për ndryshimin, me një program të qartë, realist dhe me vizion. Është një lëvizje që nuk rrotullohet rreth pushtetit, por rreth njerëzve. Prandaj, kush beson tek ndershmëria, drejtësia dhe politika si shërbim – ka arsye të forta të na besojnë.”

4. Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri:

“Sistemi i drejtësisë – Duhet të jetë vërtet i pavarur, jo i kapur nga politika apo paratë. Drejtësia nuk mund të jetë privilegj, por e drejtë për të gjithë.

Arsimi – Ka ardhur koha që të mos e shohim më si shpenzim, por si investimin më të rëndësishëm për të ardhmen. Na duhet një arsim që zhvillon mendimin kritik, jo kopjimin dhe korrupsionin akademik.

Shërbimet publike – Duhet të jenë funksionale, dinjitoze dhe të barabarta për çdo qytetar. Qytetarët nuk duhet të ndihen peng të zyrave, por të ndihen të respektuar si taksapagues.”

5. Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?

“Fushata nuk është luftë, është mundësi. Prandaj ftoj të gjithë kundërshtarët politikë që ta trajtojmë këtë garë me dinjitet dhe respekt për qytetarët.

Le të nxisim pjesëmarrje, jo përçarje. Le të konkurrojmë me ide, jo me shpifje. Sepse në fund, nuk është fjala për ne si individë – por për Shqipërinë që duam të ndërtojmë.”

Më të lexuarat

Sekreti i një lëkure me shkëlqim qenka më i thjeshtë seç mendonim
Media britanike: Riviera Shqiptare, parajsa e plazhit me 300 ditë diell në vit
Menu