Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidatja e Partisë Mundësia për qarkun e Durrësit, Jonida Çeçe ka shpalosur vizionin e saj dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Mundësia dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
“Sepse nuk mund të qëndroja më spektatore. E ndjej si detyrë personale dhe morale të kontribuoj për një të ardhme më të drejtë, më të ndershme dhe më njerëzore. Nuk dua t’u lë fëmijëve tanë një Shqipëri pa shpresë.”
⸻
2. Sa e lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
“Jam rritur me njerëzit e kësaj zone, i njoh hallet, vlerat dhe përpjekjet e tyre. Nuk po garoj për një karrige, por për ta – për t’u dhënë zë atyre që nuk janë dëgjuar kurrë.”
⸻
3. Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
“Sepse nuk kam interesa të fshehura, nuk mbaj prapa struktura apo premtime boshe. Jam një prej jush. E ndershme, punëtore dhe e vendosur për të sjellë ndryshim – jo fjalë, por veprime.”
⸻
4. Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri:
1. Kultura e pandëshkueshmërisë
2. Mungesa e meritës në vendimmarrje
3. Mosrespektimi i dinjitetit të qytetarit
⸻
5. Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
“Mos harroni: jemi të gjithë në këtë vend bashkë. Politika duhet t’i shërbejë qytetarit, jo interesave personale.”