Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Fierit , Samena Malenaj ka shpalosur vizionin e saj dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Demokratike dhe atë personalisht.
5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
“Vendosa të hyj në këtë garë sepse çdo ditë dëgjoja që qytetarët duan një brez të ri në politikë. Unë jam ajo që kërkojnë, nuk vij nga karriget e pushtetit, por nga terreni, nga përditshmëria e tyre, ku përballemi me të njëjtat halle, të njëjtat padrejtësi.”
2. Sa e lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
“Jam çdo ditë në terren. Nuk më duhet fushata për të qenë pranë njerëzve, sepse s’jam shkëputur kurrë prej tyre. E njoh zërin e tyre, e ndjej zemërimin dhe shpresën që duan të rikthejnë.”
3- Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
“Nuk kërkoj votë për vete, por për ta. Për një përfaqësim real, të ndershëm dhe të zëshëm. Brezi im nuk do të heshtë më. Është koha që të dëgjohet zëri i qytetarëve çdo ditë të vitit, jo vetëm kur kërkohen vota.”
4- Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri
“Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar, por tre që s’presin më: pabarazia që i ndan njerëzit në “të njohur” dhe “të zakonshëm”; korrupsioni që ua vjedh të ardhmen dhe ikja masive e të rinjve që e lë vendin bosh.”
5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
“Kjo nuk është kohë për batuta dhe video thumbuese. Njerëzit janë lodhur nga një politikë që merret me njëri-tjetrin dhe jo me hallet e tyre. Qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete, kërkojnë vëmendje dhe respekt. Gara duhet të jetë për idetë, për vizionin dhe për të ardhmen që duam të ndërtojmë, jo për protagonizëm bosh.”