Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.
Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.
Kandidatja e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Edona Bilali ka shpalosur vizionin e saj dhe arsyet se pse duhet që shqiptarët të zgjedhin Partinë Socialiste dhe atë personalisht.
1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?
– Politikën e shoh si shërbim ndaj komunitetit dhe si e tillë mendoj se edhe angazhimi im në zgjedhjet e 11 Majit si deputete që garoj për mandatin e dytë në Qarkun e Shkodrës është shërbimi më i mirë që i bëj qytetit dhe komunitetit të gjithë Qarkut të Shkodrës, i cili sot po sheh rrugën e zhvillimit falë mbështetjes së qeverisë dhe Kryeministrit Rama.
2. Sa e lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?
– Nëse më pyesni nga 1-10, do të thoja 9-të. Kjo vetëm për shkak të angazhimeve në parlement dhe jetës politike active ne Tiranë. Pjesa tjetër e kohës është në Shkodër me takimet me grupe të ndrsyhme banorësh apo gjithmonë duke folur në çdo tavolinë për Shkodrën. Besoj e kam treguar edhe gjatë këtij mandati se Shkodra ka qënë kryefjalë e diskutimeve të mia në parlament apo edhe jashtë tij, pa folur më pas për Velipojën që është vendi ku jam e lidhur ngushtësisht dhe gjej kënaqësi sa herë jam atje kryesisht thuajse në fundjavë.
3- Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?
– Besoj që 1001 arsye pse duhet të na besojnë, kjo nisur nga reformat që janë ndërmarrë gjatë 12 viteve, por mbi të gjitha sot duhet të na besojnë se jemi e vetmja forcë politikë që sot kemi një mundësi për ti ofruar shqiptarëve, pasaportën europiane. Anëtarësimi në familjen e madhe europiane janë më afër se asnjëherë tjetër këtë herë jo vetëm me fjalë por edhe me grup kapitujt që kanë nisur të happen mes Shqipërisë dhe Bashkimit europian. Është vizioni i kësaj qeverie dhe Kryeministrit që Shqipëria e ka vendin në Europë dhe çdo reformë e ndërmarrë, duke renditur edhe atë më kryesoren të reformës në drejtësi janë meritë e kësaj mazhorance dhe e kryeministrit Rama. Partia Socialiste ka treguar gjatë këtyre viteve që sjell zhvillim dhe jam mëse e lumtur tashmë që kjo çasje po preket çdo ditë edhe në Shkodër.
4- Dy gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri
– Dhuna në politikë, po e rendis të parën për shkak të imazheve të shëmtuara që kam parë gjatë këtij sesioni parlamentar nga opozita. Përdorimi i dhunës, djegies dhe shkatërrimi i rëndit shqipërinë shumë hapa prapa në rrugën e nisur. Besoj që politika duhet të jetë shembull dhe dëshmi e një civilzimi europian dhe fatkeqësisht ende nuk kemi mbërritur në atë pikë.
– Përfshirja e shoqërisë civile në vendimarrje aktive. Vendimet e konsultuara me ekspertët prodhojnë politika më të mira.
5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?
Nuk kam një mesazh të drejtëpërdrejtë. Do të shpresoja që procesi të shkonte qetë, pa përplasje siç kemi parë në të shkuarën, me qytetari dhe maturi. Kjo është një garë ku shqiptarët kanë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre të lirë, politika nuk pse presionon askënd në këtë rast duhet të përcjellim një mesazh qytetarie dhe një model europian të të votuarit pasi drejt asaj rruge jemi nisur dhe çdo skenë e një lloji tjetër do të dëmtonte Shqipërinë.