Albstory pyet politikën/ Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj shpalos vizionin për 11 majin

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Partitë politike kanë nisur fushatën për të bindur zgjedhësit për votën e tyre, ndërsa shpalosin programin për mënyrën se si do të qeverisin vendin, nëse shpallen fitues të zgjedhjeve.

Në kuadër të zgjedhjeve dhe interesit publik, Albstory do të publikojë vizionin, idetë dhe programet e kandidatëve, që synojnë të fitojnë besimin e shqiptarëve në garën zgjedhore.

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka shpalosur vizionin dhe arsyet kryesore se pse votuesit shqiptarë duhet t’i besojnë forcës së tij politike në zgjedhjet e 11 majit.

1. Pse zgjodhët të garonit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

“Kam zgjedhur të garoj sepse besoj se Shqipëria nuk ka mungesë mundësish, por mungesë drejtësie. Prej vitesh i jam përkushtuar denoncimit të padrejtësive, korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga një grusht njerëzish që e kanë trajtuar pushtetin si pronë personale. Sot nuk mjafton më të reagosh, duhet të veprosh. Ndaj dhe jam në këtë garë, jo për karrierë, por për të ndërtuar një rrugë të re, të ndershme dhe të drejtë.”

2. Sa i lidhur jeni me zonën tuaj elektorale dhe me komunitetin?

“Jam i lidhur fort me njerëzit dhe me komunitetin, sepse aty gjendet e vërteta. Kam takuar mijëra qytetarë dhe problemi nuk është mungesa energjie apo ideje, është mungesa besimi se ky vend mund të ndryshojë. Dhe besimi rikthehet vetëm kur u qëndron fjalëve, kur punon ndershëm dhe nuk bën pazare.”

3- Arsyet pse shqiptarët duhet t’ju votojnë?

“Kërkoj votën për të pasur fuqinë të realizoj një program që bazohet në tri shtylla: pastrimin e administratës dhe kthimin e meritokracisë; uljen e barrës mbi qytetarët dhe mbështetjen për ekonominë e ndershme; dhe garantimin e shërbimeve bazë si arsim, shëndetësi, drejtësi që funksionojnë për qytetarin. Ky nuk është premtim elektoral, por një angazhim që do ta mbaj pa lëkundje.”

4- Tre gjërat që sipas jush duhet të ndryshojnë menjëherë në Shqipëri

“E di që shqiptarët janë të lodhur nga premtimet boshe, ndaj nuk premtoj mrekulli. Por premtoj që nuk do bëhem pjesë e asaj që kemi denoncuar për vite me radhë. Nuk do të bëj asnjëherë marrëveshje me ata që kanë shkatërruar vendin, dhe nuk do mbështes asnjë qeveri që nuk ka vullnet real për të pastruar shtetin.”

5- Cili do ishte mesazhi juaj drejtuar kundërshtarëve politikë në këtë garë?

“Për kundërshtarët e mi politik kam vetem një mesazh: shqiptarët nuk janë më naivë. Kjo garë nuk është për pushtet personal, por për të rikthyer ndershmërinë si themel të shtetit. Dhe kush nuk e kupton këtë, ka mbetur peng i së shkuarës.”

Më të lexuarat

Kavaja dhe Rrogozhina në krizë: Nga drejtësia e mohuar te skandalet e përditshme – koha për zgjidhje reale
Inter sheh “makthe” në fund/ Zikaltërit pësojnë shumë gola në mbyllje të dueleve
Menu