Parlamenti hapi dyert këtë të premte për të pritur deputetët e Legjislaturës së 11-të. Pas seancës së paradites, deputetët iu drejtuan sërish Kuvendit për të bërë betimin mbi Kushtetutë e Reopublikës.
Drejtuesi i seancës Vasil Llajo lexoi formulën e betimit, ndërsa të gjithë deputetët, njëri pas tjetrit, u ngritën në këmbë dhe e shqiptuan atë, duke konfirmuar zyrtarisht detyrimin e tyre për të respektuar dhe mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Ndërkaq, dy deputetë e PSD-së, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati i deputetit.
Pas dorëheqjes së tyre, mandati pritet t’i kalojë dy më të votuarve në qarkun Shkodër, Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku.
Kryesuesi i seancës, Llajo, tha se deputetët që nuk kanë mundur të bëjnë betimin këtë të premte, kanë mundësi që këtë të drejtë ta ushtrojnë në një moment të dytë.
Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate, PD dhe aleatët 50, PSD 3, partia Mundësia 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një deputet.








