Fituesi Hansi Flick/ Trajneri gjerman mbyll një vit triumfal tek Barcelona

Në rininë e tij ka qenë edhe futbollist, por mbahet mend shumë pak. Hansi Flik padyshim mund të tregojë shumë më tepër sesa një Zhoze Murinjo, me tre titujt dhe Kupën e Gjermanisë tek Bajerni, si dhe finalen e humbur të Championsit në 1987 ndaj Portos në Vjenë.

Gjithsesi, burri që sot është 60 vjeç u bë I lavdishëm në profesionin e trajnerit, madje guxoi tepër vonë.

Përpara sesa të ngjitej në maja me Bajernin e Barcelonën, gjermani i lindur në qytetin universitar Haidelberg, provoi triumfin e madh si teknik I dytë, në krah të Joakim Lëvit me kombëtaren e Gjermanisë, duke u shpallur kampion i botës në 2014 në Brazil.

Që nga ai kulm, njeriu me emrin e plotë Hans-Ditrih Flik, priti më shumë se 5 vjet derisa Bajerni e caktoi në krye të stafit teknik, pasi u shkarkua kroati Niko Kovaç në nëntor 2019.

Fitoi në 2020 Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Championsin, një triplet për herë të dytë në historinë e klubit.

Këtyre u shtoi Superkupën e Gjermanisë, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet, e para herë që bavarezët ia dilnin me trofe, duke u bërë I dyti ekip pas Barcelonës së Mesit e Guardiolës.

Bajerni u bë e para skuadrës në historinë e Championsit që I fitoi të gjitha ndeshjet në një sezon, ndërsa Flik fitoi sërish Bundesligën në 2021 përpara se të largohej me 7 tituj në dy edicione.

Ai u shpall trajneri më I mirë I Europës dhe më I miri I botës nga Globe Soccer, instituti I statistikave dhe historisë së futbollit IFFHS dhe nga revista britanike, World Soccer.

Për fat të keq, me Gjermaninë ishte një zhgënjim, u eliminua në grup në Kupën e Botës 2022 dhe u shkarkua në shtator 2023 pas humbjes 1-4 me Japoninë, I pari trajner I “national manshaftit” që e pësoi një largim të tillë në histori.

Megjithatë, Barcelona I besoi Hansi Flikut dhe koha I dha të drejtë.

Në sezonin e parë, tekniku gjerman frymëzoi një skuadër të përçarë e të pamotivuar në një klub të mbytur nga borxhet. Me stilin e tij sulmues, shkurorëzoi Realin e Madridit, që kishte dalë kampion I Spanjës dhe I Europës në 2024.

Barça e tij e fitoi El Klasikon katër herë, duke mundur madrilenët në finalen e Superkupës së Spanjës 5-2, 4-0 në La Liga, pastaj 3-2 në finalen e Kupës së Mbretit. Dështimi I vetëm ishte eliminimi në gjysmëfinale të Championsit nga Interi, pas dy ndeshjesh epike që do të mbeten në histori, me shifrat 3-3 e 3-4.

Gjithsesi, sezoni u mbyll me triumf, pasi fitorja 4-3 në El Klasiko ndaj Realit dhe pastaj 2-0 në fushën e Espanjolit siguruan titullin. Championsi ndoshta do të fitohet sezonin që vjen.

Më të lexuarat

Përfundojnë votat e Greqisë/ Me Korçën mbyllet numërimi për partitë politike në të 12 qarqet e vendit
Menu