Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë zyrtarisht të divorcuar. Në procesin gjyqësor, zhvilluar në gjykatën e Tiranës, kreu i PL shkoi i shoqëruar me furgon policie nga qelia në sallën e gjyqës, por ish-bashkëshortja e tij tashmë, ashtu sikundër kishte deklaruar edhe më parë nuk u paraqit në seancë.
Seanca e pajtimit mes palëve u zhvillua në orën 10:30 në gjykatën e Tiranës, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. “Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Dhe vendosi zgjidhjen e marteses midis paditesit Ilir Meta dhe të paditurës Monika Kryemadhi.” -thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Divorci i Ilir Metës, përkon me nisjen e fushatës elektorale të 11 majit, zgjedhje në të cilat kreu i PL garon nën siglën e koalicionit ‘Për Shqipërinë madhështore’, në listë të hapur, e nëse do të arrijë të fitojë mandatin e deputetit, do të të jetë ‘single’ jo vetëm në qeli, por edhe jashtë saj.
Njoftimi i Gjykatës:
Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij.
Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi:
Zgjidhjen e marteses midis paditesit I.M dhe te paditures M.K.