Nga Matt Crane
Sa nga ne kanë dashur ndonjëherë të bëhen më të suksesshmit në profesionin e tyre? Ndërsa vazhdoj që ta përmirësoj veten dhe të bëhem një udhëheqës më efikas në industrinë e automobilave dhe të përsos procesin e shitjes; unë kam pasur në përgjithësi fatin të mësoj nga më të mirët në këtë biznes.
Koncepti i të qenit personi më i suksesshëm në një fushë, është i përqendruar rreth të qenit një mjeshtër në komunikim, një koncept për të cilin unë stërvitem me mentorin tim profesionist dhe personal, Endi Eliott, që vazhdon të më udhëheqë ende sot.
Unë i përdor këto 5 mënyra çdo ditë në rolet e mia profesionale në shitjet e makinave, me klientët, stafin dhe anëtarët e komunitetit. Unë jam shumë i zellshëm për t’i zbatuar ato edhe në jetën time personale me familjen, miqtë dhe cilindo që e njoh dhe përshëndes. Unë besoj se nëse i merrni seriozisht këto 5 hapa; dhe nëse dëshironi të bëheni një mjeshtër në komunikim, atëherë mund të bëheni personi më i vlefshëm për cilindo me të cilin jeni në kontakt.
1.Mësoni sesi të flisni bukur në publik
Kjo është një fushë që duhet ta zotërojmë që të gjithë ata që synojnë të jenë të suksesshëm. Çdo ndërveprim verbal me një individ tjetër, është pjesë e përkufizimit të të folurit në publik, ose “i aktit i të folurit ballë për ballë me një audiencë të drejtpërdrejtë”. A jeni shprehur ndonjëherë “Më lejoni që ta riformuloj ndryshe” apo “A ka kuptim kjo gjë?”.
Kur themi njërën nga këto deklarata, besoj se kjo ndodh sepse keni mungesë besimi nëse ajo që po i thoni dikujt po kuptohet nga personi tjetër. E shihni veten si një folës publik? Nëse doni realisht të përmirësoni aftësitë tuaja të komunikimit, atëherë duhet të pranoni faktin që ju jeni para së gjithash një folës publik.
Pasi ta pranoni këtë, është koha të punoni për t’u bërë të sigurt mbi mënyrën se si flisni. Sa më efektivë të jeni në lidhje me mënyrën se si flisni dhe komunikoni me të tjerët, aq mëshumë do të krijoni vetëbesim, dhe do të filloni të kërkoni mundësi për të krijuar diskutime të reja dhe për t’i përmirësuar ato që keni tashmë.
2.Përmirësoni dëgjimin e të tjerëve
Të komunikosh është një aftësi e rëndësishme, në të cilën duhet të jesh i shkëlqyer,pavarësisht profesionit që keni. Për t’i shërbyer sa më mirë klientëve, stafit dhe komunitetit tuaj në përgjithësi, duhet të jeni të shkëlqyer në të folurit me ta.
Por nëse nuk e keni bërë zakon të dëgjuarit në mënyrë aktive, atëherë do ta kufizoni aftësinë tuaj për të komunikuar me sukses me të tjerët, dhe në fund do të humbni edhe besueshmërinë tuaj. Bërja e pyetjeve të shkëlqyera, dhe më pas shkrimi i përgjigjeve për pyetjet, është thelbësor për t’u bërë një mjeshtër në të dëgjuar.
Për mendimin tim, njerëzit besojnë më shumë tek ajo që shohin, në krahasim me atë që dëgjojnë. Prandaj janë parësore veprimet tuaja në procesin e dëgjimit. Çfarëdo gjë që të bëni, mos i shkruani gjërat vetëm për hir të aktit në vetvete. Shkruani vetëm atë që është e rëndësishme për ata me të cilët po flisni, pasi do të jenë ata do të shohin përfitimet nga kjo,dhe do të ndihen më të sigurt se ju jeni dikush që po i dëgjon.
“Mënyra se si ne komunikojmë me të tjerët dhe me veten, përcakton përfundimisht edhe cilësinë e jetës sonë” Toni Robins
3.Përsosni personalitetin tuaj
Mënyra se si ju jeni “i lehtë për të hyrë në bisedë” apo “i vështirë për t’u afruar”, është pjesë e mënyrës se si është krijuar personaliteti juaj. Gjatë procesit të komunikimit, është e rëndësishme të kuptoni nivelin tuaj të energjisë, pasi kjo do të krijojë përshtypjen se ju ose do të jeni dikush me të cilin të tjerët duan ose nuk duan që të flasin.
Personaliteti juaj, është një reflektim i mënyrës se si do të jeni për të punuar dhe komunikuar për një kohë të gjatë, Dhe mund të jetë një aset ose pengesë në të gjitha ndërveprimet tuaja. A dukeni të sigurt dhe të emocionuar tek të tjerët kur jeni të angazhuar me ta? A po lëvizin drejt jush ata në procesin e komunikimit, apo po distancohen?
Për të përmirësuar personalitetin tuaj, ndërtojeni me kujdes procesin duke analizuar se si komunikojnë të tjerët me ju. Mos harroni se personaliteti i njeriut është reflektues. Prandaj të qenit në gjendje për të vëzhguar se si komunikojnë të tjerët me ty, dhe si është personaliteti i tyre me ju, është një mënyrë e shkëlqyer për të parë se si mund të të perceptojnë ty dhe personalitetin në raport me veten e tyre. Si ju bëjnë që të ndiheni gjatë ndërveprimit?
4.Përmirësoni tonalitetin tuaj
Aftësia ose paaftësia juaj për t’u ndikuar gjatë bisedës, ka të bëjë me mënyrën sesi personi përballë do të reagojë ndaj jush, në mënyrë që të përputhet me nivelin tuaj aktual të komunikimit. Ndaj duke u bërë zotërues i tonalitetit tuaj, ajo që po tregoni në fakt është një disiplinë për të kontrolluar emocionet tuaja.
Për shembull, mendoni për dy biseda që keni pasur së fundmi, ku njëra shkoi mirë dhe e dyta shkoi keq. Unë mund të vë bast se mund ta identifikoj momentin e saktë në ato biseda, se ku ju e kuptuat se biseda po ecte në drejtimin e duhur, dhe ku ajo mori një kthesë të gabuar.
Një mënyrë e shkëlqyer për të filluar të zotëroni si duhet tonalitetin tuaj, është ta regjistroni veten duke bërë një bisedë telefonike me një klient, një klient të mundshëm ose një pjesëtar të familjes.
Tani riprodhojeni përsëri atë bisedë, dhe shkruani në një letër pikat kryesore të bisedës ku ju e dëgjoni veten duke ndryshuar tonin, si dhe të njëjtat momente në të cilat personi në anën tjetër të telefonit ose ndërveprimi personal bën të njëjtën gjë. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të filluar të identifikoni se si të përsosni menjëherë tonalitetin tuaj.
5.Forconi aftësinë tuaj për të transferuar emocionet tek të tjerët
Këtu gjendja juaj aktuale e mendjes, humori dhe njohuritë mbi çështjen mbi të cilën po flitet,zhvendoset nga ju tek pala tjetër me të cilën po komunikoni. Kur jeni pranë dikujt që ju magjeps, që po arrin kulmin e interesit tuaj, dhe ju tërheq vëmendjen, kjo ndodh sepse ata kanë krijuar një reagim emocional nga ju, për të cilin ju dëshironi të investoni më shumë.
Njëherazi, nëse jeni pranë dikujt që ju frustron ose ju bën të dëshironi të ndërprisni ndërveprimin me të, kjo ndodh sepse ata kanë krijuar një reagim të tillë, që ju mendoni se po ju jep energji negative.
Imagjinoni për një moment, sikur të ishit ju shkaku që kjo t’i ndodhte dikujt tjetër? Të pasurit e një mentaliteti të shprehjes së vazhdueshme të mirënjohës, dhe pasja e qëndrimit më të mirëtë mundshëm përballë të tjerëve, është çelësi për të zotëruar aftësinë tënde për të transferuar emocionet tek të tjerët.
Tani më shumë se kurrë më parë, është e rëndësishme që aftësia jonë për të komunikuar me njëri-tjetrin të jetë transparente, të jetë një gjendje reciprociteti, dhe të transferoni tek tjetri më shumë emocione pozitiv se të mbylleni nën vetvete. Nëse fokusoheni tek të qenit të shkëlqyer në këto 5 elementë, do të bëheni një komunikues mjeshtëror, dhe do të dominoni me shumë efektivitet në ndërveprimet tuaja profesionale dhe personale.