Viti i Ri është shumë afër dhe të gjithë jemi duke u përgatitur për darkën e fundvitit. Por kultura të ndryshme e presin në mënyra të veçanta orën 00:00, kohë ku i urojmë njëri-tjetrit shëndet dhe fat. Disa trokasin gotat, të tjerë përqafojnë e puthin të dashurit e tyre. Por ne ju sjellim gjashtë rituale të vendeve të ndryshme për të pasur fat gjatë 2023.
Spanjollët hanë 12 kokrra rrushi për fat të mbarë
Në momentin që ora shënon 00.00, spanjollët nuk trokasin gotat por hanë sa më shpejt dymbëdhjetë kokrra rrushi. Secila kokërr përfaqëson fat të mbarë për çdo muaj të vitit të ardhshëm.
Për armenët buka e bërë në shtëpi sjell lumturi
Tavolina e fundvitit në një shtëpi armene përmban këmbë derri, mishra të ndryshëm, fruta dhe ëmbëlsira. Por në qendër të tavolinës është buka e bërë në shtëpi, buka është ushqimi më i rëndësishëm. Brenda në bukë vendoset edhe një monedhë dhe personi që e gjen është anëtari me fat i familjes.
Rusët pinë shampanjë me letër të djegur
Edhe pse pija e preferuar e rusëve është vodka, në traditën e Vitit të Ri, rusët preferojnë shampanjën me letër të djegur. Në vigjilën e Vitit të Ri, disa rusë shkruajnë një dëshirë në një copë letre, më pas e djegin dhe hirin e letrës e hedhin në shampanjë. Shampanja pihet teksa akrepat e orës i afrohen orës 00.00 dhe do të keni fat.
Një besëtytni tjetër e pazakontë e rusëve është: të teshtish në vigjiljen e Vitit të Ri sjell fat.
Estonezët hanë 7, 9 ose 12 ushqime
Në Estoni njerëzit hanë 7, 9 ose 12 ushqime gjatë ditës së Vitit të Ri për të pasur një vit të gëzueshëm , këta numra janë numrat e fatit të shtetit. Nuk është e detyrueshme të mbarohen të gjitha ushqimet për të përfituar nga kjo traditë. Estonezët lënë pak ushqim në pjatat e tyre për paraardhësit ose shpirtrat që vizitojnë shtëpinë gjatë festave.
Për gjermanët fatin e mirë e përcaktojnë petullat e mbushura me reçel ose mustardë
Për amerikanët jeta konsiderohet një kuti me çokollata, por për gjermanët është një kuti me petulla (donuts) me mbushje misterioze. Gjatë vigjiljes së Vitit të Ri, pastiçierët gjermanë mbushin disa prej petullave me mustardë. Nëse të qëllon petulla me mustardë do të kesh fat të keq gjatë vitit të ardhshëm. Gjermanët e pafatë mund ta largojnë këtë fat të keq duke mbledhur katër gjethe tërfili.
Filipinasit hanë makarona të gjata dhe fruta të rrumbullakëta
Kur flitet për ushqimet filipinasit janë ndër popujt më supersticioz. Për ta makaronat e gjata përfaqësojnë një jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, për këtë arsye njerëzit i konsumojnë gjatë darkës së Vitit të Ri por edhe në ditëlindje. Ndër të tjera edhe frutat e rrumbullakëta janë një ushqim që sjell prosperitet dhe shëndet, ndaj as ato nuk mungojnë në tavolinën e fundvitit për shtëpitë filipinase. Disa njerëz konsumojnë 12 fruta të rrumbullakët, për çdo muaj të vitit.