Liverpooli është përzgjedhur si qyteti pritës për edicionin e 67-të të Eurovision, pas një gare të ngushtë me Glasgow. Finalja e Madhe e Eurovision Song Contest 2023 do të zhvillohet në Liverpool Arena të shtunën më 13 maj ndërsa gjysmëfinalet do të mbahen të martën më 9 maj dhe të enjten më 11 maj.
BBC, së bashku me Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), do të organizojnë Konkursin në konsultim me UA:PBC, transmetuesin publik të Ukrainës dhe fituesit e vitit të kaluar të festivalit. Mbikëqyrësi Ekzekutiv i Eurovision Song Contest, Martin Österdahl u shpreh pas njoftimit:
“Liverpool është vendi ideal për të pritur Festivalin e 67-të të Këngës në Eurovizion në emër të Ukrainës. Qyteti është sinonim i muzikës dhe Liverpool Arena tejkalon të gjitha kërkesat e nevojshme për të organizuar një ngjarje globale të kësaj shkalle.”
Orkestra Kalush e Ukrainës fitoi konkursin e këtij viti, por organizatorët vendosën ta mbanin në një tjetër vend për shkak të luftës. Këngëtari Sam Ryder që përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar arriti të renditej në vendin e dytë dhe BBC ofroi mundësinë e mbajtjes së konkursit.
Orkestra Kalush tha: “Jemi shumë të kënaqur që Eurovizioni do të zhvillohet në Liverpool. Megjithëse nuk e kemi pasur ende privilegjin ta vizitojmë, trashëgimia muzikore e qytetit njihet në të gjithë botën. Të luash në të njëjtin vend ku filluan The Beatles do të jetë një moment që nuk do ta harrojmë kurrë!”