Kandidatja e Partisë Demokratike, Loranca Hoxha është një figurë e re dhe e edukuar në perëndim por megjithatë ka mbajtur gjithmonë një lidhje të fortë me Shqipërinë.
Rritja në një familje emigrantësh ka formuar personalitetin e saj të fortë, duke ushqyer një dashuri të thellë për Atdheun dhe dëshirën për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë. Pas mbarimit të studimeve dhe përvojave të shumta në perëndim, Loranca ka vendosur të kthehet në Shqipëri, me një mision të qartë për të ndihmuar në zhvillimin e vendit.
Në këtë intervistë, Hoxha ndan me “Albstory” rrugëtimin e saj personal, arsyet e kthimit në Shqipëri, pasionin për politikën dhe angazhimin në Partinë Demokratike.
Ajo gjithashtu tregon se përse ka vendosur të kandidojë për Kuvendin e Shqipërisë dhe cilat janë arritjet që e bëjnë krenare.
Loranca përshkruan gjithashtu karakteristikat që e dallojnë si individ dhe politikane, si dhe arsyet përse ajo është e bindur që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë.
1. Kush është Loranca Hoxha?
“Unë jam Loranca Hoxha. E lindur në një familje emigrantësh shqiptarë në Belgjikë. Kam mbaruar studimet në nivelin Bachelor në Angli. Sigurisht, që familja ime ka kaluar një sërë peripecish derisa jemi rritur të tre fëmijët, por asnjëherë nuk jemi shkëputur nga Shqipëria, as nga dashuria për Shqipërinë dhe as nga të parin Shqipërinë si një vend ku ne mund të ndërtojmë të ardhmen tonë.”
2. Si ishte fëmijëria juaj dhe rruga e shkollimit?
“Fëmijëria ime ka qenë të them të drejtën me një nënë që na ka edukuar mirë, na ka qëndruar pranë. Me një baba që është rropatur për të plotësuar kërkesat tona duke qenë se ishim në një vend të huaj. Megjithatë e kujtoj gjithmonë fëmijërinë time mes shoqërisë shqiptare dhe belge, ku gjithmonë zemra më zgjidhte shqiptarët. Megjithatë shokët e mi më të mirë janë nëna, babai dhe vëllezërit e mi të mrekullueshëm, që sigurisht janë dhe forca ime kryesore për të qenë pranë qytetarëve për të qenë pranë Shqipërisë, sepse çdo demokrat në thelb të tij, të qenies së tij dhe vizionit të tij ka familjen.
Për mua ka qenë shumë i rëndësishëm kthimi në Shqipëri pasi kam mbaruar dhe studimet master në Angli, ku ka qenë një sfidë tjetër shumë interesante e imja pasi aty kam punuar për disa vjet për të ndërtuar më mirë Lorancën si një profesioniste dhe si një e re, që ka çfarë i jep vendit të saj. Jam kthyer në Shqipëri duke kontribuar në biznes dhe duke u përpjekur që të jem një zë aktiv.”
3. Pse zgjodhët të ktheheni në Shqipëri?
“Shqipëria, sigurisht që është vendi më i bukur në botë për mua. Një vend, i cili jo vetëm nga natyra ofron burime të mëdha si turistike ashtu dhe energjie ujore apo minerare, por mbi të gjitha është një vend, ku të paktën për mua dhe për çdo shqiptar, paqja e brendshme vjen më kollaj dhe e kemi më të lehtë për të ndërtuar ëndrrat tona, dëshirat tona dhe zhvillimin tonë personal.
Unë nuk zgjodha të kthehesha në Shqipëri, por e kisha çdo ditë një thirrje të brendshme kthimin në Shqipëri. Edukimi nga familja ka qenë të rritemi, të shkollohemi dhe të kthemi në atdhe për të dhënë kontributin tonë. Mendoj që mision edhe guxim është kur vendi ytë nuk është mirë dhe ti kthehesh për ta përmirësuar, jo kur ai është mirë dhe ti kthehesh për të përfituar. Gjithsesi, fakti që jam këtu është për ta bërë Shqipërinë një vend funksional, pa burokraci dhe një vend ku fshati dhe qyteti të jetojnë njësoj. E them këtë, sepse, kam parë këto kohë se fshati është lënë në harresë me qëllim dhe madje duke e denigruar, që nga produktet që prodhon, mënyra e jetesës dhe nga shërbimet që ofron pushteti vendor dhe qëndror.”
4. Përse ky pasion për politikën dhe si e gjetët veten në Partinë Demokratike?
“Për mua politika ka qenë rreth e rrotull meje duke qenë se familja ime ka qenë një mbështetëse e zjarrtë dhe aktive kundrejt Partisë Demokratike. Për këtë shkak, kur u ktheva para tre vjetësh, më erdhi një ftesë nga Partia Demokratike ku punova me fushatën e zgjedhjeve vendore.
Ajo që dua të nënvnizoj dhe që do doja që të ishte me “KAPITALE” është se “unë nuk largohem nga Shqipëria”. Fiton Partia Demokratike apo nuk fiton, fiton Loranca apo nuk fiton, do të qëndroj këtu dhe do jem zëri i qytetarëve të Kavajës, Rrogozhinës, Vorës, Kamzës dhe Tiranës. Për vetë faktin se kam shtrënguar dorën me këta qytetarë dhe bashkë me dorën edhe zemrat dhe sigurisht qëllimet tona.
Siç e thashë nuk është se unë kam qenë pasionante ndaj politikës. Mendoj se e kuptova që në Shqipëri kemi nevojë për ndryshime të thella politike, ekonomike e sociale dhe në rast se nuk fillojmë të ngremë zërin, të revoltohemi ndaj kësaj qetësie korruptive të këtyre viteve, padyshim që më shumë dëm po i bëjmë vetes dhe Shqipërisë tonë. Kështu që vendosa të reagoj më shumë se sa të merrem me politikë dhe si një formë reagimi gjeta Partinë Demokratike.”
5. Ju kandidoni në qarkun e Tiranës, përse kjo zgjedhje?
“Zgjedhja e qarkut Tiranë ishte natyrale. Unë kam një prejardhje familjare nga Kavaja, kontribuova për fushatën e zgjedhjeve vendore në Tiranë, kështu që ishte një zgjidhje dhe jo një zgjedhje. A jo që dua të nënvizoj është se jam në politikë si e reja më e votuar në qarkun e Tiranës. Pra, femra më e re e votuar në qarkun e Tiranës në “Primare”. Pra, çdo gjë që kam arritur deri këtu është shkallë- shkallë dhe në bazë të këmbënguljes time.”
- Cilat janë disa arritje tuajat për të cilat ndihesh krenare
“Në fakt asnjëherë nuk dua të flas për ato që kam arritur, megjithëse më vjen shumë mirë për shkollimin tim, për biznesin që kam krijuar, për çdo iniciativë që kam marrë edhe për kthimin tim në Shqipëri. Por ajo që më bën krenare është synimi, qëllimi dhe forma se si dua t’i arrij këto duke mbështetur çdo shqiptar, veçanërisht Shqipërinë rurale, rininë, e cila është në presion shumë të madh dhe padyshim të moshuarit. Në qoftë se arrij që Shqipërinë rurale, që rinisë dhe të moshuarve t’ju jap një zgjidhje dhe të përmirësoj jetën e tyre, mendoj se kjo do jetë arritja ime më e madhe në jetë dhe pastaj mund të flasim për arritje… Nuk mendoj se deri tani ka diçka që do ma përkëdhelte sedrën apo do ndihesha krenare se kjo arritje që mezi pres ta arrij nëpërmjet mandatit tim parlamentar.”
- Cilat janë pikat e forta të Loranca Hoxhës
“Loranca Hoxha është edukuar për të qenë pranë njerëzve në nevojë. Loranca Hoxha është edukuar nga sisteme që funksionojnë, nga sisteme ku korrupsioni është turp dhe i dënueshëm, nga sisteme ku vlera jote është arsimimi, të sjellurit dhe suporti ndaj shoqërisë dhe Atdheut. Mendoj se këtë çdo qytetar i Rrogozhinës, Kavajës, Kamzës, Vorës apo Tiranës që kam takuar e ka kuptuar. Jam këtu jo për të marrë një rrogë si deputete, jam këtu për të marrë një rrugë të gjatë si deputete për qytetarët e Tiranës, qytetarët e Vorës, Kamzës, Rrogozhinës dhe Kavajës. Jam këtu për misionin, jam këtu për vizionin tim. Dua të nëvizoj se Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për shumë Loranca. Ka nevojë për të rinjtë, ka nevojë për njerëzit që kanë turp nga korrupsioni, ka nevojë për njërëzit që e duan realisht që shteti shqiptar të funksionojë. Ka nevojë për njerëz, që kanë arritur disa suksese si individë për të mos e parë politikën si një mënyrë pasurimi apo një mënyrë përfitimi.”
- Tre arsye pse Loranca Hoxha i duhet Kuvendit të Shqipërisë
“Nuk e shoh si nevojë e Kuvendit të Shqipërisë apo nevojë e imja. Mendoj se arsyet e mia të forta pse duhet të votohem është spese do jem gjithë kohës në terren dhe nuk do shkëputem kurrë nga terreni, as në këtë mandat as në çfarëdo mandati të jem, sepse kjo është një fjalë e dhënë dhe do ta mbaj. E dyta është, sepse do të jem zëri i çdo qytetari, në 4-vjeçarin e ardhshëm për çdo problematikë. Dhe e treta, është sepse vizioni im që kam shpalosur shkon në çdo familje shqiptare, që nga bujku, blegtori, nxënësi, studenti, të moshuarit, punëtorët, biznesmenët dhe çdo lloj kategorie, që formon dhe është pjesë e komunitetit nga unë do dal si deputete.”
Thirrja ime për qytetarët: Do fitojmë nëse besojmë dhe guxojmë!