Lufta në Kosovë e mishëruar në librin “Krimet serbe në Deçan”, filantropi Tafilaj: E paguam shtrenjtë lirinë por sot jemi krenarë

Albanian StoryPolitical

Lufta në Kosovë, me mijëra djem e vajza të vrarë në fushë beteje për të mbrojtur trojet tashmë do të vijë më e gjallë mes brezave të rinj nëpërmjet vargjeve të librit “Krimet serbe në Deçan” nga Adem Lushaj. Libri u promovua në Texas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mes personaliteteve të shumta. Deçani ishte një nga zonat më të prekura nga lufta e Serbisë që i dha dhe shumë dëshmorë të lavdishëm sot Kosovës. Në ceremoninë për promovimin e librit ishte i pranishëm dhe filantropi Ramiz Tafilaj, i cili mbajti dhe fjalën e tij përshëndetëse para të pranishmëve

FJALA E PLOTË:

I nderuari rektor, Artan Nimani!

E nderuara, Kuçi!

I nderuari kryetar, Ruzhdi Sefa!

Të nderuar mësimdhënës dhe studentë të “Fehmi Agani”!

Të nderuar anëtarë të Shoqatës së Intelektualëve “JAKOVA”!

Të nderuar të pranishëm!

Historia jonë është shkruar me gjakun e brezave të njëpasnjëshëm; është skalitur në bjeshkët tona dhe u ka bërë shtrat luleve të fushave tona për të na rikujtuar të kaluarën dhe për të na dhënë kurajo për të ardhmen.

Asnjë dromcë historike nuk është më e freskët sesa lufta e fundit në Kosovë. Luftë, e cila nuk ishte e barabartë, por e cila, përkundër shumë vuajtjeve e gjakut të derdhur, solli fitoren më të rëndësishme kombëtare dhe historike për shqiptarët si komb. Liria e Kosovës nuk ishte e lirë. Ajo u pagua shtrenjtë! Por, vlera e saj mbetet e paçmueshme, ngase liria e Kosovës solli edhe pavarësinë e kësaj toke të bekuar të Dardanisë antike.

Nuk ka laps as letër që mundet ta përmbledhë krejt historinë e popullit tonë në Kosovë. Por, secili kontribut në evidentimin dhe përshkrimin e krimeve të luftës në Kosovë i jep vlerën e duhur sakrificës së popullit tonë. Secili libër, punim shkencor, kumtesë, shkrim e botim në këtë kontekst është një gur shtesë në murin e kombtarizmës sonë i cili pasqyron atë që përjetuam dhe projeksionin, vizionin për atë që duam nesër.

Në këtë vazhdë, edhe libri që ju lexues të nderuar keni në duar, është një gur solid dhe i rëndësisë së veçantë në murin e kombtarizmës sonë historike. Autori Adem Lushaj, ka bërë një punë të mrekullueshme në evidentimin, pasqyrimin dhe përshkrimin e krimeve serbe në Deçan gjatë luftës së Kosovës. Deçani si një vatër e kamotshme e atdhedashurisë ishte edhe target i përpjekjes çnjerëzore serbe për çrrënjosjen e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore.

Andaj, libri i autorit Lushaj “Krimet Serbe në Deçan” është monument i gjallë që i dedikohet atyre që me gjakun e tyre paguan lirinë tonë. Libri është dëshmi e barbarizmit serb. Libri është mësim për gjeneratat e ardhshme. Fuqia e argumentit të autorit Lushaj vjen nga qartësia e fakteve që ai prezanton këtu. Autori ka bërë një punë madhështore, dhe lexuesit i ofron një mundësi unike për të kuptuar vuajtjen e Deçanit dhe krejt Kosovës.

Uroj që historia jonë të mbetet histori e papërsëritshme. Uroj që gjeneratat e ardhshme të vlerësojnë sakrificën vetëmohuese të së kaluarës dhe me vullnet të ndërtojnë perspektivën e së ardhmes!

You May Also Like

Familja e Luizit reagon pas lajmeve nëpër portale
Fakte psikologjike që do ju ndryshojnë mënyrën si e shihni botën
Menu