Tridhjetetetëvjeç i ka mbushur dhe i ka lënë pas, por shkëlqimi nuk zbehet. Lionel Mesi mbetet ende një nga yjet e futbollit botëror, ndonëse jo më në Europë e në Champions, ndërsa në Shtetet e Bashkuara realizoi mrekullinë e radhës.
Kampioni i botës me Argjentinën shënoi dy gola duke i dhënë skuadrës së tij, Inter të Majemit, kualifikimin për në finalen e Kupës së Ligës.
Suksesi ndaj Orlandos ishte 3-1, dhe magjistari I topit realizoi një herë me penallti, dhe herën tjetër nga loja. I kthyer në ekip pasi la prapa dëmtimin duke munguar dy ndeshje, Mesi nuk tregoi shumë në pjesën e parë kur rivalët kaluan në epërsi 1-0.
Gjithsesi, në minutën e 74-ët mori përsipër një 11-metërsh duke mos gabuar, ndërsa dy minuta para fundit të ndeshjes, i mbiquajturi “Pleshti” tregoi klasin në golin e tretë, pas kombinimit me Zhordi Albën.
Ai ka tani 766 rrjeta të shënuar pa penallti në karrierë, duke qenë rekordmeni për të gjitha kohët, ndërsa Kristiano Ronaldo ka 763. Falë Mesi, Inter jo vetëm që mund të fitojë trofeun e Kupës së Ligës, por edhe u kualifikua për në Kupën e Kampionëve të Amerikës Veriore e Qendrore për sezonin e ardhshëm.








