Një dokumentar në Netflix frymëzoi këtë familje për të lundruar rreth globit

Lifestyle

Erin Carey nuk e kish imagjinuar kurrë se do të lundronte përtej Oqeanit Atlantik me burrin e saj Dave – veçanërisht jo me tre fëmijë të vegjël.

Në vitin 2015, ata ishin të kënaqur duke jetuar në Adelaide, Australi dhe duke punuar në punë të paguara mirë. Pra, pse çifti la shtëpinë për të lundruar globin?

“Ne nuk ishim marinarë. Nuk e kishim ëndërruar kurrë të bënim diçka të tillë,” thotë 41-vjeçarja për Euronews. “Një natë, ne u ulëm për të parë Netflix dhe burri im zgjodhi rastësisht ‘Maidentrip’, rreth Laura Dekker, personi më i ri që lundroi nëpër botë. Diçka në atë dokumentar na bëri të ndryshonim plotësisht jetën tonë.”

Mendimi i tyre i parë ishte: A mund ta bëjmë këtë vetë? Një kërkim i shpejtë në Google i ndihmoi të zbulonin dhjetëra familje që jetonin me kohë të plotë në jahte. E vendosën. Ata do të kalonin dy vitet e ardhshme duke kursyer për të blerë një varkë, më pas do të merrnin një pushim dyvjeçar nga puna për të lundruar nëpër botë me fëmijët e tyre.

Shtatë vjet më vonë, familja me pesë anëtarë është duke ndjekur ëndrrën e tyre. Qëndruan dy vjet në Karaibe, pastaj udhëtuan në Portugali, Spanjë, Tunizi, Maltë, Itali dhe Kroaci.

Para se të niseshin, Erin dhe Dave duhej të mësonin se si të lundronin. Gjatë 18 muajve të ardhshëm, ata ndoqën kurse lundrimi, mbijetesës në det dhe ndihmës së parë, si dhe plotësuan licencat për të marrë një varkë. Më pas, kursyen për dy vite dhe arritën të blinin një jaht me vlerë 64,000 euro, si edhe morën disa para borxh sepse nuk do të punonin për 2 vjet.

Ata merren personalisht me shkollimin e tre djemve. Erin e dinte se nuk mund të kthehej sërish në punën e mëparshme, ndaj u frymëzua nga kanelet në YouTube për të krijuar dhe drejtuar një agjenci PR për udhëtimet aventureske. Ajo e drejton agjencinë nga zyra, në një kabinë të jahtit.

A ka vështirësi ky stil jetese? Shkollimi në shtëpi mbetet aspekti më sfidues i të jetuarit në një jaht. “Pas katër vjetësh, ne ende kemi vështirësi dhe nuk mendojmë se po e bëjmë siç duhet,” thotë Erin.

Ata kanë planifikuar që ta kalojnë fundin e vitit në shtëpi në Australi dhe në pranverë do të rinisen sërish me jaht për të lunduar në Turqi, Marok dhe Cape Verde.

“Mos u stresoni për faktin se nuk dini të lundroni. Mund të mësosh, nuk është shkencë raketash,” thotë Erin. “Jini vërtet të rreptë me buxhetin për dy vjet. Dhe së fundi, bëni hulumtimin tuaj. Nëse ecni ngadalë dhe bëni gjithçka në mënyrë të arsyeshme, atëherë nuk është aq e frikshme apo e rrezikshme sa mund të duket.”

Tags:

You May Also Like

A mund të kurohen vrasësit serialë?
Luana Vjollca: Jam e dashuruar
Menu