Një në gjashtë njerëz në Britani janë të shqetësuar se mos i mbarojnë ushqimet dhe akoma më shumë thonë se nuk mund t’i mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta sa duhet, sipas një sondazhi të publikuar sot nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).
Ky sondazh tregoi gjithashtu se ekziston një ndjenjë e përhapur në mesin e njerëzve për dështimin social dhe ekonomik të vendit.
Sipas raportit të ONS, 16 për qind e njerëzve janë të shqetësuar ose shumë të shqetësuar se do të mbeten pa ushqim para se të kenë para për të blerë më shumë. Kjo situatë është tashmë një realitet për 6 për qind të njerëzve.
Rreth 23 për qind e të anketuarve thanë se nuk janë në gjendje t’i ngrohin shtëpitë e tyre në mënyrë komode, qoftë herë pas here apo përgjithmonë.
Shifrat e ONS tregojnë për pakënaqësinë e përhapur të britanikëve me drejtimin e lëvizjes së një prej ekonomive më të mëdha në botë.
Kërkesa për bankat ushqimore në vend ka shpërthyer gjatë dekadës së fundit dhe grevat e punëtorëve janë bërë më të shpeshta.
Agjencia e hulumtimit të tregut dhe opinionit Ipsos tha javën e kaluar se 62 për qind e qytetarëve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, ndërsa 14 për qind mendojnë se po ecën në drejtimin e duhur – një sfidë për kryeministrin e ri konservator Rishi Sunak i cili thotë se vendime të vështira nevojiten për të rikthyer ekonominë në rrugën e duhur.
Partia Laburiste e opozitës pretendon se problemet aktuale janë reflektim i vendimeve të marra gjatë qeverisjes 12-vjeçare të konservatorëve.
Sipas ONS, 78 për qind e njerëzve ndjehen të frustruar që shoqëria britanike nuk është ajo që duhet të jetë, ndërsa 74 për qind thanë se kanë frikë se gjërat në shoqëri do të shkojnë keq.
Në anketën e zhvilluar nga data 22 nëntor deri më 4 dhjetor kanë marrë pjesë 2.524 të anketuar.