Sali Berisha inauguroi me mënyrën e tij, tunelin e Murrizit dhe Rrugën e Arbërit. Burrat Demokratë e pritën me makina dhe flamuj të PD, ndërsa ai iu bashkua festës në hyrje të Peshkopisë.
Por Berisha, këtë fushate ka treguar se jo rrallë harron emrat. Të shtunën paradite u tha dibranëve, se në Peshkopi, kishte ardhur nga Rruga e Kombit.
“Erdhi këtu dy ditë më parë, burreci dy metër i gjatë. Aty nuk u tha një fjalë se pse Rruga Kombit zgjati 12 vite, kur duhet të përfundonte, kishte çdo fond e projekt, të përfundonte në 2016. Dhe një gjë, dhe një gjë. Do i them asaj zonjës së nderit, që i tha se hajde shkojmë në Tiranë, se po të ishte për Edi Ramën, kur nuk ndërtohej. Jo, jo. Jo, jo. Ja ku është Rruga e Lurës, 12 vite se ndërton dot.”
Hidrocentrali i Skavicës, një vepër që do ndërtohet nga firma amerikane, është një kafshatë që nuk kapërdihet lehtë nga ish kryeministri demokrat, i cili ja kishte premtuar atë 15 vite me parë, francezeve. Ai serish premton se nëse vjen në pushtet, Skavica nuk do të ndërtohet. Gjithsesi doktorit duket se i ka pëlqyer udhëtimi në Rrugën e Arbërit.
“Skavica nuk do ndërtohet kurrë aty. Por atë rrugë e meritoni. Ajo rruga e dytë e kombit, kemi krenari që ndërtuam 32 kilometrat e para, dhe më besoni, do e kishim inauguruar, me parametra shumë më të mira nga ajo që keni ju sot. “
Por beteja elektorale në Dibër, ka marre prej ditësh një karakter gjinor. Edi Rama po në Dibër të enjten vlerësoi gratë, si një lëvizje e madhe elektorale, nisur ndoshta edhe nga sondazhet, që tregojnë se i ashtuquajturi seksi i dobët, është më i fortë në votime. Berisha, megjithëse vuri të fliste të parën një femër, në një sallë mbushur plot me burra, mbrojti të drejtat e meshkujve.
“Ti erdhe fole si kopuk, sikur ishte me ato ministreshat e tua. Tani do të them unë ty. Asnjë fjalë nuk të jap përgjigje, se përgjigjen më të shkëlqyer, se përgjigjen ta dha gruaja dibrane në sallë, që burrat tanë janë të shkëlqyer. Por do e them, këtë këtu. Burrat e Dibrës, janë si malet e Dibrës, mjerë ai që u sulmon. Rroftë Dibra. “
Pasi mbaroi fyerjet ndaj rivaleve, Sali Berisha u kujtua se po fliste në kohë pashkësh, kur vdekja e Krishtit ndodhi prej mëkateve të njeriut. Këtu gjithashtu u kujtua se të jesh 80 vjec, nuk ke dhe aq kohë, sa për mëkatet në tokë, të kërkosh ndjese ndaj Zotit. Ndaj zgjodhi të flasë me gjuhen e Krishtit.
“Në këtë moshë, në këto vite, në vjeshtën time të bukur, skam ambicie për para, as për luks. Por kam një ambicie, një mision, të ndryshoj jetën tuaj”.