Loranca ne u befasuam nga dëshira jote për të qenë afër qytetarëve, çfarë të bën kaq të mërzitur.
“Jam e tronditur, ndihem e ofenduar dhe e mbushur me mllef se si këtu pushteti dhe njerëzit afër pushtetit tallen me njerëzit.
Këtu ka tendera për një rrugë me kosto dhe projekt, që nuk kanë lidhje me zbatimin.
Cilësia dhe sinjalistika janë aq problem sa vetëm Zoti i ruan shqiptarët.
Vetëm nga amortizimi i rrugëve shqiptarët humbasin miliona euro në shërbime teknike për makinat pa permendur çmimin e naftës.
Pra, ne vidhemi dhe vuajmë se askush nuk reagon.
Shkollat në Shqipëri, hiq disa shkolla në qendrat e mëdha te qyteteve, të tjerat janë siç kanë qenë para 70 vitesh, duke marrë parasysh dhe amortizimin e tyre në kaq dekada.
Bujqësia dhe blegtoria janë skandal dhe ndihem keq të premtoj përmirësim, sepse këto duhet të ishin bërë 20 vite më parë.
As nuk konceptohet që malli të shitet që në fillim të prodhimit. Po ashtu nuk mendohet fare të ketë një garanci dhe shpërblim per produktin e dëmtuar nga kushtet e motit.
Askush nuk ka një kujdes për cilësinë e ushqimit, jetesës apo problemeve të tjera të komunitetit.
Këtu njerëzit shihen si problem jo si ata që duhet t’u shërbehet.
Këtu shitet dhe blihet vota sikur të mos kishte të bënte me të ardhmen e gjithsecilit.
Media merret me problemet që nuk shqetësojnë qeverinë dhe qeveria me problemet, që nuk shqetësojnë klientët e tyre.
Krimi sfidon të zgjedhurit dhe as nuk trembet nga forca e ligjit.
Këtu tregohen përralla me pasaporta europiane dhe me mrekullira, të cilat as bazohen në ekonominë e thjeshtë e as në ndonjë vizion zhvillimi.
Flitet për turizëm ku askush nuk të ofron një gotë ujë falas, askush nuk të ofron ambulancë në plazhet me dyndje të mëdha apo roje plazhi të trajnuar.
Këtu flitet për shëndetësi falas, por tek spitali i fëmijëve padyshim që vetëm myku është falas dhe mjekët të keqpaguar.
Flitet për luftë kundër korrupsionit aty ku ryshfeti është çështje përqindjesh.
Më jepni zë, nëse jeni lodhur nga kjo qeveri, më jepni votën të luftojmë së bashku. Jam besimplotë, që do të luftojmë bashkërisht për problemet tona të përditshme dhe do ia dalim.