Kinematografia shqiptare ka humbur një figurë të madhe. Regjisori Dhimitër Anagnosti u shua në moshën 89-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të vyer në fushën e artit dhe kulturës shqiptare.
Po kush ishte Dhimitër Anagnosti?
Dhimitër Anagnosti lindi në 23 janar 1936 në fshatin Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator.
Anagnosti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë edhe si politikan.
Regjisori Anagnosti është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti në vitin 2011, ku është vlerësuar si një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare.
Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Regjisori Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.








