Këtë verë, Tirana, për herë të parë nuk ka shfaqur asnjë problematikë serioze nga zjarret. Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi punën e zjarrfikësve, por edhe u shprehu mirënjohjen qytetarëve, të cilët, tha ai, kanë vepruar në kohë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga flakët në kryeqytet. Falë kësaj, shtoi Veliaj, Tirana nuk ka pasur gjatë muajit Gusht as probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.
“Dua të falënderoj të gjithë kolegët, sidomos kolegët e zjarrfikësve sepse ka qenë ndoshta, viti më i mirë për Tiranën, dhe falë vigjilencës, zjarret janë kapur në kohë, ndaj dua të vlerësoj jashtë mase punën e çdo zjarrfikësi, përfshirë edhe ata vullnetarë, apo ndërlidhës komuniteti që na kanë alertuar në kohë rekord, kur ka qenë një moment për të ndërhyrë për mbrojtjen ndaj zjarrit.
Vlerësoj faktin se ka qenë gushti i parë ku kemi pasur thuajse zero problematika me ujin. Kujtoj që përpara ca vitesh, zjarri bënte kërdinë dhe uji mezi vinte në çezma. Sot, falë këtyre investimeve dhe sistemit e menaxhimit serioz të Bashkisë së Tiranës, problematika si zjarret në verë, apo problematika me mungesën ujit, kanë qenë minimale,” u shpreh Veliaj.