Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Shkodër, Benet Beci ka shpalosur objektivin dhe “ofertën” politike për zgjedhjet e 14 majit.
Ai iu përgjigj interesit të AlbStory rreth platformës elektorale, ndërsa u shpreh se oferta e tij është trajtimi më i mirë për kryeqendrën e veriut.
Benet Beci ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1987, ndërsa master në Administrim Biznesi me një temë mbi sistemin bankar në vitin 2003 dhe doktoraturën në vitin 2015 me një temë mbi zhvillimin rajonal.
Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh të tjera brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në sistemin bankar dhe atë të mikrofinancës, analizës financiare e menaxhimit të riskut, por edhe mbi partneritetet publiko-private dhe inovacionet në qeverisje.
Gjatë karrierës së tij, Benet Beci, numëron detyra të rëndësishme duke filluar nga ajo në Ministrinë e Transporteve, ku për 5 vite ka mbajtur detyrën e inspektorit të tarifave dhe standardeve. Më pas, në vitin 1992 ka punuar në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Bankën Kombëtare (sot Banka e Shqipërisë). Nga viti 1993 deri në vitin 2005 z.Beci ka punuar në institucione financiare të ndryshme si Banka Kombëtare Tregtare, Fondi i Financimit Rural, dhe Unioni i Shoqatave të Kursim Kredisë.
Po ashtu ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë. Detyra më e rëndësishme dhe afatgjatë ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion publik që implementon projekte zhvillimi në nivel lokal dhe kombëtar. Benet Beci e mori drejtimin e FSHZH në vitin 2005, në kohën kur portofoli i këtij institucioni ishte rreth 116 milionë Euro. Gjatë drejtimit të tij ky portofol u rrit në më shumë se 480 milionë euro, ose 8 herë më shumë.
Nga viti në vit aktiviteti i FSHZH u zgjerua duke u transformuar nga një institucion me aktivitet kryesisht në zonat rurale, në instrumentin më të besuar të donatorëve për investime në të gjithë territorin e vendit në infrastrukturë, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar etj. Donatorët e mëdhenj si Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka e Këshillit të Europës, etj. i kanë besuar FSHZH projektet kryesore të zhvillimit.
Rreth 20 programe madhore dhe 2,100 projekte në funksion të zhvillimit të infrastrukturës, turizmit, kulturës janë realizuar me sukses gjatë këtyre 13 viteve.
Në janar të vitit 2019 ai u emërua administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, ku administroi me sukses dhe transparencë situata komplekse gjatë periudhës së pandemisë, si ajo e prurjeve ekstreme të rreshjeve në periudhën dhjetor 2020-prill 2021. Në këtë periudhë u ndërmorrën për herë të parë në historinë e KESH, hapa konkretë për shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese si impianti fotovoltaik në digën e Vaut të Dejës, hapat e parë për projektin e hidrocentralit të Skavicës, etj. Gjithashtu, po për herë të parë një koorporatë publike përgatiti një strategji për përgjegjësinë sociale të saj, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me komunitetet ku ajo ka ndikim, vecanërisht bashkitë Shkodër e Vau i Dejës.
Gjatë kësaj kohe u hartua projekti i rrugës së Komanit, ai i forcimi të turizmit përgjatë kaskadës, si dhe u mbështetën një sërë projektesh mjedisore, sociale e kulturore të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në këtë territor.
Këtë detyrë z. Beci e mbajti për gati dy vjet, deri në prill të vitit 2021 kur garoi për deputet nën siglën e Partisë Socialiste.