Vetëm katër minuta e gjysmë aktivitet i fuqishëm ditor mund të zvogëlojë rrezikun e disa llojeve të kancerit deri në 32%, sipas hulumtimit ndërkombëtar të udhëhequr nga Universiteti i Sidneit, botuar në revistën JAMA Oncology.
Studiuesit përdorën të dhëna nga pajisjet inteligjente që vishen për të gjurmuar aktivitetin ditor të më shumë se 22,000 njerëzve me një moshë mesatare 62 vjeç. Më pas ata ndoqën të dhënat shëndetësore klinike të pjesëmarrësve për gati shtatë vjet për të studiuar shfaqjen e kancerit.
Në hulumtim, vetëm katër deri në pesë minuta aktivitet fizik me interval të fuqishëm u shoqëruan me një rrezik dukshëm më të ulët të kancerit në krahasim me ata që nuk bënin asnjë aktivitet. Këto aktivitete përfshijnë punë të fuqishme shtëpiake, blerje të rënda në supermarket, ecje të fuqishme ose lojëra me energji të lartë me fëmijët.
Autori kryesor i studimit, profesori i Universitetit të Sidneit, Emmanuel Stamatakis, thekson se “është mjaft mbresëlënëse të shohësh se rritja e intensitetit të detyrave të përditshme për vetëm katër deri në pesë minuta në ditë, të kryera në breshëri të shkurtra prej rreth një minute secila. është e lidhur me një reduktim të përgjithshëm të rrezikut të kancerit deri në 18% dhe deri në 32% për llojet e kancerit që kanë qenë të lidhura me aktivitetin fizik.”
Vihet re se të rriturit që nuk ushtrojnë janë në rrezik të shtuar të zhvillimit të disa llojeve të kancerit, si kanceri i gjirit, i endometrit apo i zorrës së trashë. Hulumtimi shqyrtoi ndikimin e ushtrimeve në 13 fusha të zhvillimit të kancerit, duke përfshirë mëlçinë, mushkëritë, veshkat, endometrialin, mielomën, zorrën e trashë, kokën, fshikëzën dhe gjirin.