Lideri i partisë opozitare Reforma në Britaninë e Madhe, populisti i djathtë Nigel Faraxh i është rikthyer bastit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Mesa duket ai e ka pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë, por para militantëve të tij në Birmingem, vendosi të provokojë. Paralajmëroi se mund të çojë një avion të madh me të burgosur shqiptarë për ti kthyer mbrapsht në vendin e tyre.
“Do të shkoj për drekë pas disa javësh me kryeministrin e Shqipërisë. Mund të rezervoj një avion shumë të madh dhe të marr një ngarkesë me vete, nuk jam i sigurt ende. Ne do ta ndalojmë atë që është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare, atë që është një rrezik për vajzat dhe gratë në rrugët tona. Ne do t’i ndalojmë anijet dhe do t’i ndalojmë e deportojmë ata që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, duke bërë atë që bën pothuajse çdo vend normal në të gjithë botën”Faraxh është i bindur se pas dorëheqjes së zv.kryeministres në Britaninë e Madhe, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Dhe nëse partia e tij fiton zgjedhjet, ai si kryeministër ka një premtim të parë.
“Nuk mund të vini ilegalisht dhe të qëndroni, ne do t’i ndalojmë anijet brenda dy javësh nga fitorja dhe ardhja në qeverinë e Britanisë së Madhe”
Në qershor të këtij viti, politikani britanik, Nigel Faraxh deklaroi se 1 në 48 shqiptarë në Britaninë e Madhe janë në burgjet e ishullit. Madje ai vendosi bast se do i kthejë të gjithë mbrapsht.
Por kryeministri Rama, iu përgjigj duke i kërkuar të korrigjojnë censusin, pasi në Britaninë e Madhe rezultojnë rreth 140 mijë shqiptarë, legalë dhe ilegalë, dhe se raporti është më pak se 1 në 100 shqiptarë në burg.








