Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga samiti BE–Ballkani Perëndimor, i zhvilluar këtë të premte në Tiranë, ku në fokus ishte procesi i integrimit europian dhe mbështetja financiare për vendet e rajonit.
“48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor”, shkruan Rama në publikimin e tij.
Gjatë samitit, Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, bëri të ditur se Shqipëria ka përmbushur 80 për qind të reformave të kërkuara dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.
Ndërkohë, Mali i Zi, me 84 për qind të reformave të zbatuara, pritet të përfitojë 81 milionë euro.
Në tryezën e përbashkët me liderët e rajonit, kryeministri Rama e cilësoi këtë një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor dhe Europën, duke theksuar rëndësinë e reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.
Samiti në Tiranë vendosi në qendër të diskutimeve integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.