Ku do përfundojnë mbetjet e rrezikshme të Durrësit?

DURRËS- Mbetjet e dyshuara kimike, të cilat prej më shumë se një viti ndodheshin në zonën e Shën Vlashit në periferi të Durrësit, janë zhvendosur së fundmi drejt fshatit Vrinë, disa kilometra larg vendndodhjes së mëparshme. Bëhet fjalë për 102 konteinerë, të cilët prej kohësh kishin ngritur shqetësime te banorët e zonës.

Këto mbetje ishin depozituar në kushte të përkohshme, ndërsa prania e tyre për një periudhë të gjatë kishte shkaktuar reagime të vazhdueshme nga komuniteti lokal, i cili ka kërkuar herë pas here ndërhyrjen e institucioneve për largimin e tyre.

Rreziku mjedisor

Edhe pse autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar për arsyet e zhvendosjes, mediat raportojnë ky vendim mund të jetë ndikuar nga presioni dhe ankesat e banorëve, të shqetësuar për rreziqet e mundshme që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin dhe mjedisin.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë më tej me këta konteinerë. Deri në këto momente nuk ka një vendim të bërë publik për trajtimin apo asgjësimin e mbetjeve kimike, çka lë hapur pikëpyetje mbi menaxhimin e tyre në vijim.

Zhvendosja e tyre drejt një zone tjetër pritet të ngrejë gjithashtu shqetësime të reja për komunitetin pritës, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende një plan konkret për trajtimin përfundimtar të tyre.

Shqetesimi u ngrit nga të huajt

Krimi mjedisor u raportua nga Rrjeti i Bazeli, i cili ndër të tjera thoshte:

“Ne nuk jemi as të sigurt që mostrat janë marrë dhe analiza ka filluar. Nëse ka filluar, është shqetësuese që marrja e mostrave nuk është bërë publikisht dhe me protokollet e duhura dhe procedurat zinxhir të ruajtjes së ndjekur. Trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon sanksione penale sipas traktatit që Shqipëria ka nënshkruar. Nuk është e pranueshme të pretendohet se nuk ka ndodhur dhe shpresojmë se do të harrohet”, theksonte Jim Puckett nga Rrjeti i Veprimit të Bazelit.

Ku do përfundojnë mbetjet kimike

Pyetja që lind është: Ku do të përfundojnë këto mbetje, dhe në rast asgjësimi, cili do jetë plani i masave nga autoritetet pasi kemi të bëjmë me mbetje te rrezikshme?/ ALBSTORY

Më të lexuarat

Shkencëtarët zhvillojnë çamçakëzin kundër baktereve
Lufta në Lindjen e Mesme rrezik për shqiptarët
Menu